Mirupafshim vendi im

MIRUPAFSHIM VENDI IM
Vendi im,
Prej sot e tutje jam e huaj për ty ,për njerëzit e mi.
Do të më mungojnë ditët me diell edhe ato me shi.
Ke natyrë madhështore me male që lakmi bota i ka ,këtu kam nënën trime që më rriti bashkë me heroin e shtëpisë babanë.
Kam nostalgji për fëmijërinë me gjyshërit e mi që më falën shumë dashuri,
dikur i përqafoja me lumturi rrugës për në shkollë, pranë pragut të shtëpisë.
Këtu u rrita me motrën Donika, shoqen e zemrës larg njëra tjetrës na çuan labirintet e shkencës.
Dikur kishim fëmijëri të lumtur me shumë shpresë, ne mjekët e rinj u bëmë heronjtë e tu në pandeminë e pabesë.
Na falni prindër që ju lëmë të vetëm
në luftë dhe liri me një peng në zemër .
Na fal vendlindje që fikim dritë në çdo shtëpi ,na mëshiro që të braktisim ne fëmijët e brezit të ri .
Dibra ç’ka qenë ,ç’është dhe ç’do bëhet nëpër shekuj ?!
Mërgimtarët e duan zonjë të hekurt.
Zhurma e fluturimit drejt qiellit të hapur më jep ndjesinë e një rruge të re, një fillim i shumëpritur midis lartësive pa re.
Ika përtej oqeanit Dibra ime e shtrenjtë me amanetin për ty nga paraardhësit e mi të shenjtë.
A përshkruhet sa do kem mall ?!
a numërohet sa ka deti valë ?!
Atje baba do t’a gjej forcën për t’u ringritur,
atje nënë do të më jep kurajë bekimi yt i ndritur.
Do të më kujtoheni në çdo festë e hall kur më uruat rrugë të mbarë, prindër të pamposhtur me lotë të patharë !
Doruntina Klenja