Miratohet ribalanci i buxhetit

Më shumë të hyra në buxhet, më shumë mjete për shpenzime kapitale, për masa lidhur me përkrahjen e ekonomisë dhe qytetarëve për shkak të krizës së kovidit, për shëndetësinë, bujqësinë, për pagesat e rregullta të pagave, pensionet dhe të drejtat sociale të siguruara me ribalancin e Buxhetit për vitin 2021, i cili u miratua sot në seancën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoftuan nga Ministria e Financave.

Të hyrat e përgjithshme lidhur me ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2021, janë planifikuar në nivel prej 222.5 miliardë denarë dhe janë rreth 10 miliardë denarë ose 4.7% më të larta se projeksionet fillestare të Buxhetit. Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 268.8 miliardë denarë ose për 8.6%, përkatësisht rreth 21.2 miliardë denarë më të larta në raport me planin. Të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara paraqesin deficit në vlerë prej 46.2 miliardë denarë, përkatësisht 6.5% të BPV -së.