Miratohet nga FIFA, Kupa Maradona luhet në Napoli

Kampionët e Europës kundër kampionëve të Amerikës Jugore. Mungonte vetëm drita jeshile nga FIFA, që tashmë erdhi. Organi më i lartë i futbollit botëror miratoi duelin ndërmjet Italisë dhe Argjentinës, për nder të Diego Armando Maradonës.
Ideja sugjestionuese për të vendosur përballë skuadra të dy vendeve që kanë lënë gjurmë në karrierën legjendare të Pibe de Oro u miratua edhe nga FIFA. Ndeshja do të luhet në Napoli, në shtëpinë e dytë të Maradonës, ndërsa mendohet që organizimi të zhvillohet në dhjetor të këtij viti, ose në janar të 2022-shit.

Jo rastësisht, trofeu do të quhet Kupa Maradona. Itali-Argjentinë do të luhet në vend të Kupës së Konfederatave, trofeut që nga viti 1992 deri në 2017-n vendoste përballë të gjithë kampionët e turneve kontinentalë, të cilëve u shtohej edhe skuadra e vendit organizator. Gjithçka realizohej një vit përpara zhvillimit të Kupës së Botës, në një mini-turne me 8 skuadra. Tashmë gjithçka do të vendoset me një ndeshje finale, në stadiumin Maradona të Napolit. Një ndeshje historike, e cila do të jetë përsëritja e gjysmëfinales së Botërorit 1990, aty ku të kaltrit ishin të pafat, ndërsa argjentinasit më pas humbën në finale me Gjermaninë.