Miratohet deklarata për mbështetje të Ukrainës

Kuvendi njëzëri miratoi Deklaratën për dënimin e sulmeve ushtarake të cilat e rrezikojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Propozimi i Partisë Liberal Demokrate ishte i pranueshëm për shumicën e partive politike, përfshirë edhe opozitën dhe 105 deputetë votuan “për”.
Kundër votuan dy deputetët e “Të Majtës”, Dimitar Apasiev dhe Borisllav Kërmov, si dhe Ivan Stoillkoviq, deputeti i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni.

“Kjo që ndodh sot është shkelje e rëndë e të drejtave ndërkombëtare, kërcënim serioz për infrastrukturën evropiane të sigurisë dhe e vendos në rrezik paqen në të gjithë kontinentin evropian. Asnjë jetë njeriu nuk do të mund të kompensohet dhe asnjë lot ose traumë fëmije nuk do të falet”, tha Monika Zajkova, deputete e Partisë Liberal Demokrate.