Rreth 27 milionë euro është buxheti i komunës së Tetovës për vitin 2022. Këshilltarët e komunës së Tetovës gjithsej 18 votuan “për” dhe 12 të përmbajtur për këtë buxhet. Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, tha se buxheti nuk është ai që ka premtuar për shkak të krizës në të cilën ndodhet komuna por është një buxhet i cili vetëm mundëson funksionimin normal të komunës.
Ai ka paralajmëruar se në vitin 2022 do të ketë edhe rishikim të buxhetit.
“Ky është një buxhet për funksionim normal të komunës dhe nuk paraqet premtimet që i kemi bërë prandaj edhe mungojnë projektet kapitale. Për shkak se nuk kemi pasur kohë të mjaftueshme që të bëjnë një buxhet zhvillimor në vitin tjetër mendoj se do të kemi një rishikim të buxhetit ku edhe do të ketë investime kapitale”, tha Kasami.
Në ndërkohë, në këtë seancë këshilltarët e opozitës respektivisht të BDI-së janë interesuar për punësimet e reja ku edhe u dha sqarim se do të ketë rreth 35 punësime për nevojat e sektorit të urbanizmit për përpunimin e planeve urbanistike. Poashtu, nuk është pranuar edhe propozimi i këshilltarëve nga lista e pavarur “Më mirë për Tetovën”, që të rishqyrtohet leja për bllokun 57 respektivisht parcelën e kontestuar ku është shit “Jellak”.
Poashtu, këshilltarët i kanë dhënë dritë jeshile edhe marrjes së një donacioni nga UNDP-ja për një automjet për njësinë e zjarrfikësve.