Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka demantuar KFOR’in, duke thënë se hyrja e ushtrisë serbe në territorin e Republikës së Kosovës nuk ishte e sinkronizuar.
Sipas ministres Haradinaj – Stublla patrullimi i sinkronizuar nënkupton që secila forcë ushtarake vepron brenda territorit të vet dhe nuk e kalon kufirin dhe se palët dakordohen të lëvizin përgjatë vijës kufitare duke njoftuar njëra tjetrën për atë se çka kanë hasë në terrenin e tyre gjatë patrullimit të sinkronizuar.
“Ngjarja e 7 gushtit në Karaçevë nuk rezulton të jetë patrullim i sinkronizuar, por patrullim i përbashkët me Serbinë, për të cilin nuk ka askush mandat e as autorizim. Prandaj, popullit të shqetësuar duhet t’i sqarohet se a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n, që ka hyrë 300m brenda territorit të Kosovës, apo këtë e ka bërë me aprovimin paraprak!”, ka thënë kryediplomatja e Republikës së Kosovës.
Ministrja Haradinaj – Stublla ka thënë se terrorizimi i popullit shqiptar të brezit kufitar me Serbinë, përmes defilimit të uniformës serbe dhe rikujtimit të krimeve gjenocidale të Serbisë në Kosovë, nuk e ndihmon normalizimin e marrëdhënieve, pajtimin, e as vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Uniforma ushtarake e policore serbe në territorin e Kosovës hapë plagët e krimeve të pandëshkuara, dhe traumat e luftës së vitit 1999. Andaj, mekanizmat e sigurisë në asnjë mënyrë nuk do të duhej të lejojnë, e aq më pak të lehtësojnë patrullime të tilla në territorin e Republikës së Kosovës, që shkaktojnë shqetësime dhe pasiguri tek qytetarët e asaj ane, trazojnë paqen, dhe provokojnë dhunë e vetëmbrojtje”, është shprehur ministrja e Jashtme.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, ashtu siç e kanë njohur gati mbi 2/3-tat e shteteve të botës, 22 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, dhe 26 nga 30 shtetet anëtare të NATO-s, e poashtu të respektojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmoi ligjshmërinë e plotë të Pavarësisë të Republikës së Kosovës me 17 shkurt 2008 në kufijtë ekzistues.
“Veprimi sipas Kushtetutës dhe Ligjit nuk është deklaratë pompoze, por obligim shtetëror që duhet ta ndjekin të gjithë”, ka shkruar ajo. Ndërkaq, KFOR ka deklaruar se më 7 gusht, në Komunën e Kamenicës kanë zhvilluar një patrullë të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodonovc.