Ministrja britanike: Lufta mund të jetë fillimi i fundit të Putinit

Sulmi i ushtrisë ruse në Ukrainë “mund të jetë fillimi i fundit” të presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë Sekretarja e Jashtme britanike, Lizz Truss.

Duke folur për mediumin Sky News, Truss ka thënë se “ne po shohim rezistencë të fuqishme ukrainase” dhe Mbretëria e Bashkuar “do të vazhdojë të furnizojë ata me armë dhe mbështetje ekonomike”.

Ajo ka thënë se beson që Putin është duke bërë “gabim strategjik”, duke marrë parasysh dëmin që do të shkaktojnë sanksionet në ekonominë ruse.

Mirëpo ajo ka sugjeruar se lufta mund të vazhdojë “për disa vjet”, duke shtuar: Frikësohem se kjo gjë nuk do të përfundojë shpejt”.

“Frikësohem se ky konflikt do të jetë shumë, shumë i përgjakshëm”.

Kur është pyetur për sanksionet britanike, Truss ka thënë se është përpiluar “një listë me oligarkë” dhe ka sugjeruar se do të ketë “një program të vazhdueshëm të sanksioneve”.