Ministria e Transportit i hoqi licencën transportuesit “Boga Trans” nga Shkupi

Me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Transport, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e solli Vendim për heqje të licencës për punë transportuesit “Boga Trans” nga Shkupi.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve Solli Vendim me të cilin përkohësisht i ndalohet transportuesit të kryej aktivitete afariste, duke ia hequr edhe licencat për transport të brendshëm dhe ndërkombëtar të udhëtarëve, si dhe certifikatat e licencave. Transportuesi e ka për obligim që licencat dhe certifikatat e licencave t’i dorëzojë në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve”, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Transportuesi “Boga Trans” ka poseduar licencë për të kryer transport të brendshëm, transport të lirë dhe në linja speciale të udhëtarëve, si dhe licencë për të kryer transport të lirë ndërkombëtar të udhëtarëve. Transportuesi ka poseduar edhe certifikata të vlefshme të licencave për të kryer transport të brendshëm të lirë dhe në linja speciale pasagjerëve dhe certifikata të licencave për të kryer transport të lirë ndërkombëtar të udhëtarëve.

Inspektorati Shtetëror i Transportit ka kryer kontroll të jashtëzakonshëm më datë 21.12.2021, gjatë të cilit inspektori ka konstatuar që pavarësisht se transportuesi ka poseduar licencë të vlefshme, shoferi nuk ka pas certifikatë të vlefshme për të kryer veprimtari në trafikun ndërkombëtar. Kështu, janë konstatuar parregullsi në punën e subjektit juridik, përkatësisht i njëjti ka punuar në kundërshtim me Ligjin për transportin rrugor.