Ministria e Shëndetësisë: Vaksinat rrisin mbrojtjen ndaj infeksioneve

Autoritetet shëndetësore thonë se përhapja e shpejtë e infeksioneve, ka bërë që të rritet edhe numri i të shtruarve nëpër spitale. Shumë shpejt, sipas tyre, nëse vazhdon me këtë trend, sistemi i shëndetësisë do të kolapsojë, prandaj u kanë bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat dhe të vaksinohen, pavarësisht nëse e kanë kaluar apo jo koronavirusin.

Mediat kanë kërkuar shpjegim nga Ministria e Shëndetësisë nëse gjatë hyrjes në objekte të mbyllura, ku janë më shumë se 30 persona nuk vlen vërtetimi se një person ka antitrupa, por vlen vetëm certifikata e vaksinimit. Nga ky dikaster kanë thënë se vaksinimi është mekanizmi i vetëm për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

“Mbrojtja përmes infeksionit natyral është i mirë por nuk dihet sa do të zgjasë, pasi personat që një herë janë infektuar është dëshmuar se ata sërish mund të preken nga ky virus. Në bazë të analizave, ka raste që herën e parë personat e infektuar kanë qenë asimptomatik, përderisa herën e dytë këtë sëmundje e kanë kaluar me simptoma të rënda. Kërkimet që kanë realizuar imunologët kanë nxjerrë në pah se pas infeksionit, jo çdokush arrin të fitojë nivelin e njëjtë të imunitetit, përderisa imuniteti i fituar nga vaksinat është më konsistent”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Përmes vaksinimit rritet sistemi mbrojtës i organizmit dhe vaksinat ulin rre*zikun për një infeksion, ulin mundësinë për shfaqjen e një forme të rëndë të infeksionit”, thekson kjo ministri.
Dikasteri i shëndetësisë po ashtu bëri të ditur se deri më tani, 32 për qind e popullatës mbi moshën 18-vjeçare është imunizuar me të paktën një dozë të vaksinës. Të ashtuquajturat certifikata të vaksinës apo COVID pasaporta janë duke u aplikuar në shumë vende të Evropës, ku përveç hyrjes në objekte të gastronomisë, ato kërkohen edhe për hyrjen në dyqane, qendra sportive dhe në disa vende edhe për shfrytëzimin e transportit publik.