Ministria e Shëndetësisë me apel: Vaksinohuni, Delta po përhapet tek të pavaksinuarit

Nesër në Maqedoninë e Veriut, do të fillojë vaksinimi për fëmijët e moshës 12 deri në 17 vjeç. Adoleshentët do të marrin dozat e kompanisë Pfizer, ndërsa aplikimet bëhen nga prindërit e tyre. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tani kanë aplikuar mbi 1800 fëmijë.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu njofton se 16 pacientë janë të hospitalizuar për shkak të koronavirusit, ndërsa katër janë në mbështetje të oksigjenit. Sipas tyre, gjendja epidemiologjike mbetet stabile, spitalet nuk janë të mbushura, ndërsa sistemi shëndetësor është i gatshëm në rast të përkeqësimit të situatës. Nga Ministria e shëndetësisë theksojnë se e vetmja mënyrë për të parandaluar valën e re dhe përhapjen e llojit delta të koronavirusit është imunizimi më masiv. Ata shtojnë se deri tani janë vërtetuar dhjetëra raste me këtë lloj të virusit dhe asnjëri prej tyre nuk ka qenë i vaksinuar.

“Jo vetëm te ne, analizat e fundit botërore tregojnë se lloji i ri delta shpërndahet te personat e pavaksinuar. Në Evropë, që nga fillimi i muajit, 84% e rasteve të reja në Holandë janë të pavaksinuar, ndërsa 10% janë të vaksinuar vetëm me një dozë. Gati dy të tretat e të infektuarve me llojin delta dhe më shumë se gjysma e të vd*ekurve në Mbretërinë e Bashkuar nuk kanë qenë të vaksinuar”.
Nga ministria e Shëndetësisë sqarojnë se edhe Spanja shënon rritje të rasteve të reja te personat e rinj që nuk janë të vaksinuar.

“OBSH thotë se të gjitha vaksinat janë efikase kundër llojeve ekzistuese dhe mutacioneve të këtij virusi. Edhe pse disa nga studimet tregojnë se efikasiteti zvogëlohet kundër llojit delta, vaksina mund të parandalojë formën e rëndë, hospitalizimin dhe vd*ekjen”.
Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, deri tani janë vaksinuar rreth 500 mijë qytetarë, ndërsa më shumë se gjysma e tyre janë rivaksinuar.