Ministria e Bujqësisë anuloi kontratën kolektive të punonjësve

Ministria e Bujqësisë anuloi kontratën kolektive të punonjësve në këtë institucion. Një precedent i tillë deri më tani nuk është parë në Maqedoni, akuzon sindikata e SPOGJ-it. Sindikalistët thonë se tashmë vihen në pikëpyetje pagat e rreth 350 punonjësve të policisë pyjore. Tërpe Deanoski nga SPOGJ, thotë se me kërkesë të ministrisë përkatëse, qeveria ka ngarkuar Inspektoratin e Punës që të mbikëqyrë kontratën kolektive. Edhe pse nuk janë konstatuar parregullsi, autoritetet vendosin të anulojnë kontratën dhe anulimin e nënshkruan ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski.

“Pjesëtarët e policisë pyjore që paguhen sipas kësaj marrëveshjeje kolektive do të marrin pagë vetëm edhe për gjashtë muaj dhe pastaj Zoti iu ndihmoftë. Synimi i ministrisë ishte që pagat e policisë pyjore të transferoheshin në ligj dhe në këtë mënyrë ti tejkalojë marrëveshjet kolektive. Menduan se do të luanin kështu me punonjësit dhe sindikatat, por dje ministria mori informacion nga një autoritet tjetër shtetëror, që i udhëzoi se pagat e policisë pyjore duhet të rregullohen me kontratë kolektive”, deklaroi Tërpe Deanoski- Kryetar i SPOGJ.

Sindikalistët thonë se ministri e ka kuptuar se ka bërë një gabim të rëndë, por nuk ka kthim prapa. SPOGJ tani po përgatit kallëzim penal kundër ministrit Nikollovski dhe disa personave të tjerë dhe po urdhëron punëtorët që të shfrytëzojnë të gjitha përfitimet sipas kontratës kolektive.

“Sindikatat nënshkruese të Marrëveshjes Kolektive për punonjësit e Ministrisë së Bujqësisë kanë lidhur kontratë kolektive të paligjshme me ministrin e atëhershëm pa zbatuar procedurë ligjore. Nëse i njëjti do të kishte vazhduar të zbatohej, do të kishte pasoja negative afatgjata në realizimin e të drejtave elementare të punonjësve”, thonë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Sipas informacioneve të SPOGJ-it, kontrata e radhës kolektive që do të jetë në fokus nga autoritetet do të jetë ajo në Ministrinë e Kulturës./Alsat.mk