Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot vizitoi shqiptarët në Luginë për të parë gjendjen epidemiologjike atje dhe nevojat e shqiptarëve në përballjen me pandeminë.
Zemaj hyri në territorin e Serbisë me automjetet zyrtare që mbanin targat e Republikës së Kosovës, edhe pse të tillat nuk lejohen në shtetin serb.
Nuk dihet nëse Zemaj është zyrtari i parë kosovar që udhëton në territorin e Serbisë me targa RKS. Por, ajo që dihet është se Serbia nuk lejon kalimin me targa kosovare.
Sipas marrëveshjes së Brukselit, secili qytetar me targa RKS, detyrohet që në territorin e Serbisë t’i vendosë tabelat e përkohshme të Serbisë.
Po ashtu, në fotografitë e vizitës shihet policia serbe afër veturave kosovare, por nuk pati reagim për këtë.
Zakonisht, qytetarët kosovarë që udhëtojnë drejt Serbisë duhet të mbulojnë targat RKS kur hyjnë në kufi dhe të paguajnë një shumë të hollash për targat provuese të Serbisë.
Hyrja e Zemajt me targat RKS ndodhi vetëm një ditë pas hyrjes së xhandarmërisë serbe për patrullim në zonën kufitare të Kamenicës.