Ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviç ka thënë se ekziston mundësia që administrata shtetërore në Prishtinë më 28 nëntor, kur shënohet Dita e Flamurit, të shpallë formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Duke komentuar lidhur me këtë mundësi, ministri serb ka thënë në televizionin shtetëror serb RTS, se një akt i tillë do të ishte në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe se pret të reagojnë në NATO dhe BE, si garantues të marrëveshjeve.
“Prishtina po punon që ajo datë të jetë momenti i shpalljes së Ushtrisë edhe nëse kjo është në kundërshtim me kushtetutat dhe rregulloret e nxjerra dhe miratuara nga Prishtina marrëveshjet ndërkombëtare, Rezolutën 1244 (Këshilli i Sigurimit të OKB-së) dhe garancitë e NATO-s”, tha ai.
“Nuk ka as mbështetje nga serbët për këtë”, tha Stefanoviç, duke shtuar se vetëm mundësia të ndodh një vendim i tillë shkakton shqetësim të madh të serbëve në Kosovë.
Ai vlerëson se kjo është një çështje serioze dhe pret një përgjigje.
“Ministria jonë e Mbrojtjes dhe ajo e Punëve të Brendshme dhe të gjitha shërbimet kanë analizuar të gjitha njohuritë që kemi në lidhje me këtë dhe kemi përgatitur disa skenarë të mundshëm që do të mund të ndodhin dhe natyrisht përgjigjen e Serbisë, por mbi të gjitha ne duam të diskutojmë seriozisht me partnerët të cilët ishin garantues – NATO dhe BE, se një gjë e tillë të mos mund të ndodhë”, tha Stefanoviç.