Ministri serb: Pika 10 e letrës që na u dorëzua ka të bëjë me njohjen reciproke

Ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Mali, ka konfirmuar atë që kanë shkruar më herët mediat serbe, se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i është vënë mvi tavolinë letra, ku në një prej pikave thuhet se duhet të vijë deri te njohja e përbashkët e dy shteteve: Kosovë – Serbi.

“Kemi pranuar një letër, që është më e vështira qëkur kemi nisur bisedimet pe Prishtinën. Ishin 16 pika në letër, e në 10 prej tyre nënkuptohet se duhet të ketë njohje reciproke. Nga 20 njerëzit në bisedime, jo vetëm shqiptarët, në çdo fjalë tonë ka reagime agresive”, ka thënë Mali, përcjell B92.net.

Sipas tij, shumë pak është folur për temat e ekonomisë.

“Pika 10 ka të bëjë me njohjen reciproke. Ka edhe tema ekonomike që kanë të bëjnë me infrastrukturën, autostradat, hekurudhat e të tjera”, ka shtuar ai.

B92: Vuçiqit iu dorëzua në tavolinë letra për pranimin e Kosovës

Mediumet serbe, si B92 dhe Blic.rs shkruajnë se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që në fillim të takimit në Washington i është vënë mbi tavolinë letra për pranimin e pavarësisë së Kosovës.

Këtë informatë e kanë plasuar bazuar në burimet e tyre dy mediumet serbe, B92.net dhe Blic.rs.

“Gjithçka është përgatitur më herët, shqiptarët e kanë ditur”, ka thënë burimi i Blic.rs, bazuar në burimet diplomatike në Washington.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë nisur sot e do të vazhdojnë edhe nesër. Sipas administratës amerikane, temë sot do të jenë çështjet ekonomike, kurse për nesër është thënë se mund të jetë çdo gjë për çka palët pajtohen.