Ministri serb i Mbrojtjes: I refuzoj thirrjet për de-eskalim të situatës

Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanovic sot në afërsi të pikëkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë tha se kushti për uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe fillimin e dialogut është tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ajo pjesë.

Ai, i shoqëruar nga shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq dhe ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan Kharchenko, vizituan pjesën ku po qëndrojnë pjesëtarë të xhandarmërisë serbe e protestues afër kufirit.
Stefanoviq tha se Serbia nuk po i ngrit tensionet, tha se janë gati për dialog, por përmendi një kusht.

“Unë refuzoj thirrjet për de-eskalim të situatës drejtuar të dyja palëve, sepse ne nuk po provokojmë, nuk e kemi arrestuar askënd, nuk kemi hyrë në veri, nuk po kërcasim me armë, as nuk kemi bërë ndonjë lëvizje që i ngre tensionet. Ne jemi gati për dialog, por ata duhet t’i heqin njësitë speciale dhe ta kthejnë situatën në gjendjen e mëparshme”, tha Stefanoviq, raporton gazeta serbe, Danas.