Ministri serb: Do të bëjmë vaksinimin kundër COVID-19 kudo që është e mundur në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanovic, i ka quajtur si të pakuptimta deklaratat rreth vaksinimit që po kryhen në veri të Kosovës.

Stefanovic ka deklaruar se Serbia do ta kryejë vaksinimin kundër koronavirusit në secilën pjesë të Kosovës ku do të jetë e mundshme.

Stefanoviç pohoi për “TV Prva” se vaksinimi kryhet vetëm në përputhje me parimet mjekësore dhe shëndetësore duke shtuar se Beogradi nuk ka sovranitet të plotë në Kosovë për të zbatuar të gjitha masat nëpër gjithë territorin e saj.

Ai tha se do ta merrte të njëjtën vaksinë kundër virusit korona që do ta marrin edhe pjesëtarët e ushtrisë serbe dhe shtoi se vaksinimi i ushtrisë do të kryhet në rendin e përcaktuar nga pjesa shëndetësore e Shtabit të Krizave.