inistri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, është sqaruar rreth deklaratës së tij që ka thënë se Serbisë do t’i lejohet kalimi transit nëpër autostradë për Detin Adriatik, percjell Fakte.
Reka me anë të një postimi në rrjetin social Facebook deklaroi se këtë e tha si ide eventuale dhe se ishte mendim i tij personal dhe jo qëndrim i Qeverisë.
“Këto ditë pati kritika nga opozita në lidhje me një fjali timen në intervistën televizive në emisionin “Jeta në Kosovë”. Ishte e nxjerrë nga konteksti dhe vetëm pjesa e dytë e përgjigjes në pyetjen: “A do t’i kërkohet Kosovës me marrëveshjen e Uashingtonit, t’i japim territor Serbisë”?”
“Pas përgjigjes sime se nuk mund të përgjigjem në pyetje hipotetike, por assesi askush nuk guxon të jap territor për ulësen në OKB, sepse integriteti territorial është i panegociueshëm; në insistimin e gazetares se çka atëherë mund të japim për atë ulëse në OKB, thashë ndoshta si ide eventuale qe t’i lejojmë Serbisë kalimin tranzit nëpër autostradën tonë për detin Adriatik”.
“Pra, diçka që edhe deri tash i është lejuar Serbisë dhe që është ngritur si ide edhe në kuadër të Procesit të Berlinit që nga viti 2014. Kjo është e tëra, as nuk është vendim, as qëndrim i qeverisë, por një mendim i imi personal dhënë në pyetjen konkrete për një çështje konkrete. Asgjë më tepër”.
Reka më tej tha se është e pandershme që atij i kërkohet nga opozita të japë dorëheqje.
“Natyrisht, unë mbroj qëndrimin e kryeministrit Kurti për reciprocitet me Serbinë si parim i marrëdhënieve dhe marrëveshjeve tona të ardhshme. Gjithçka tjetër vjen në shprehje vetëm më vonë, vetëm më pas”.
“Më duket e pandershme qe ata të cilët nuk e kërkuan dorëheqjen e Presidentit aktual teksa negocionte zgjidhje territoriale me shkëmbime sekrete, të kërkojnë tash dorëheqjen time”, ka shkruar Reka.
Share