Ministri Lajiq: Heqja e taksës largon një barrierë, por reciprociteti sjell tri barriera të reja

Ministri serb i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajiq, ka thënë se nëse Kosova heq taksën ndaj mallrave serbe por në të njëjtën kohë vendos masa reciprociteti siç ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti, kjo do të thoshte heqje të një barriere por vendosje të tri të tjerave.
“Edhe nëse i heqin taksat, kthimi i prodhuesve tanë nuk do të jetë i shpejtë dhe i lehtë. Do të duhen ndoshta muaj. Vendin e tyre në treg e kanë zënë të tjerët. Greqia, Hungaria dhe Bullgaria e kanë rritur eksportin në Kosovë e Metohi për rreth 80 për qind, Sllovenia për 60 për qind, ndërsa Maqedonia (e Veriut) me rreth 50 për qind”.

Ai mendon se, nëse hiqen taksat, më së shpejti do të rikthehen prodhuesit e grurit dhe të miellit, sepse gruri aktualisht është më i shtrenjtë për 10 deri në 20 euro për ton.
Kreu i Odës Tregtare të Serbisë, Marko Çadezh, tha se taksat e kanë dëmtuar shumë besimin midis dy palëve dhe kanë krijuar atmosferën që bashkëpunimi midis biznesmenëve serbë dhe kosovarë nuk është i dëshirueshëm, por në praktikë, sipas tij, nuk është kështu.

“Heqja e taksës, paralajmërimi për ndërtim autostradash, vendosja e transportit ajror dhe hekurudhor, janë parakushte të favorshme për stimulimin e potencialeve ekonomike dhe bashkëpunim të papenguar të shoqatave të biznesit. Ekziston një interes i ndërsjellë për heqjen e tarifave, pasi biznesmenët tanë dhe ata kosovarë janë partnerë tradicionalisht të mirë, siç dëshmohet nga fakti se komunikimi mes tyre nuk është ndërprerë”, tha Çadezh.

Sipas fjalëve të tij, në mënyrë që të sigurohet plotësisht një mjedis pozitiv për bizneset, përveç heqjes së tarifave, do të jetë e nevojshme të adresohen çështjet e mbetura të pazgjidhura, duke përfshirë deklarimin e produktit, njohjen e dokumenteve, përputhjen e certifikatës veterinare dhe më shumë.