Ministri i Ekonomisë: “Menjëherë të ulen çmimet e qumështit dhe nënprodukteve të tij”


Ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi mbrëmë në intervistën në emisionin 360 gradë në TV Alsat, deklaroi se pret menjëherë ulje të çmimeve të qumështit dhe produkteve të qumështit.

“Në sferën e qumështit dhe produkteve të qumështit pres ulje të çmimeve menjëherë, sidomos tani me Ligjin e ri për Mbrojtjen e Konsumatorit. Tashmë kam kërkuar nga departamenti i tregtisë që të nxjerr të dhëna për çmimet e mallrave që importohen, sepse këtë verë kemi marrë vendime me të cilat kemi hequr të gjitha taksat për disa produkte të qumështit, përfshirë qumështin e papërpunuar që duhet të përpunohet në vend. Në momentin e hyrjes në fuqi të vendimit, nga 1 dhjetori, duhet të ketë reduktim të mëtejshëm në seksionin e qumështit dhe produkteve të qumështit”, deklaroi Bekteshi.

Sipas tij, Inspektorati Shtetëror i Tregut tashmë ka udhëzime për të hyrë, për të bërë kontrollet e duhura, por ishte në pritje të kalimit të Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit. “Ky ligj pardje ka kaluar në Kuvend dhe IPK do të fillojë menjëherë të veprojë dhe do të ketë sanksione përkatëse”, tha Bekteshi në “360 Gradë”./ina