Ministri i Brendshëm Çuçi: “Nuk mund t’i vendosim çdo turisti një polic pas!”

Ministri Bledi Çuçi, në një konferencë për mediat, ka reaguar në lidhje me rastet e shtetasve të huaj që janë kapur në uzinat e armëve në Gramsh e Poliçan.

“Në lidhje me hetimin dua t’ju them si ministër i Brendshëm që për Gramshin ka një hetim që ka nisur dhe një akuzë e procedim nga Prokuroria e Elbasani. Është një rast që as e kemi mbivlerësua as nënvlerësuar. Pavarësisht se ky objekt është i deklasifikuar, për nga rrethanat si kanë tentuar të hyjnë dhe pajisjet që kishin me vete dhe për shkak të agresionit ndaj personave në detyrë, janë marrë nën hetim e procedim. Hetimi do të bëhet i plotë. Falenderoj partnerët që bashkëpunojmë gjithmonë që na kanë ndihmuar të sqarojmë në detaje këtë histori”, deklaroi ministri Çuçi.

Më tej Çuçi foli për kërkesën e bërë më herët nga opozita për të ndaluar hyrjen e shtetasve rusë në vend. Ai tha se një vend i lirë nuk mund t’u vendosë agjentë çdo turisti që futet në vend.

“Ka një kategori turistësh që gjejnë uzina të vjetra dhe i kanë si koleksion fotosh dhe kjo nuk bën vepër penale. Të gjitha objektet e fotografuara janë të deklasifikuara. Në momentit që shkel një nen të kodit penal të Shqipërisë do të fillojë edhe procedimi. Siç ju thashë ai ka bërë agresion. Ne duhet të presim hetimit për të zbardhur të plotë këtë ngjarje. Kur je vend i lirë dhe ke një regjim vizash për turistët sigurisht do t’i lësh turistët të lirë, në momentin ë kryejnë një vepër penale atëherë do të trajtohen si të tillë. Besoj këtu nuk ka vend për të thënë se do t’i vendosi nga një agjent çdo turisti që vjen në vend. Institucionet kanë reaguar në kohë dhe do të jetë gjithmonë kështu. Nuk besoj që është me vend që çdo turisti që i kemi thënë të vizitojë Shqipërinë i lirë t’i vendosim nga një agjent nga pas.”, shtoi ministri Çuçi.