Ministri Diasporës: KKD zhbllokon situatën me emigrantët në Kapshticë

I ftuar sot në mbrëmje në emisionin “Open” në Top Channel, Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko tha se situata me emigrantët e bllokuar në Kapshticë është drejt zgjidhjes.

“Më vjen shumë keq për ata persona. Shteti shqiptar sot është në karantinë. Për ata persona që janë atje do të ketë një përjashtim të fundit. Këshilli Koordinues i Diasporës ka ofruar që të paguajë hotelin për periudhën e karantinës”, u shpreh ai.

“Ky është grupi i fundit. Kjo do të thotë që nuk do të ketë të tjerë. Jemi një shtet në karantinë. Ne kemi dëgjuar specialistët që na kanë thënë mbyllni çdo kufi. Prandaj për ata 30 persona të mbetur në Kapshticë do të ketë një përjashtim i cili është i fundit” tha ministri Majko.

Prej disa ditësh emigrantë shqiptarë janë bllokuar në Doganën e Kapshticës dhe Kakavijës pasi nuk kishin autorizim për tu futur në vendin tonë dhe nuk u lejuan nga autoritetet të hynin në Shqipëri.