Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi së bashku me ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Maqedoninë e Veriut, Dirk Jan Kop, sot kanë vizituar kompaninë holandeze European Plants me vendndodhje në fshatin Preljubishtë të Tetovës.
Kjo kompani, e cila operon në tregun maqedonas që nga viti 2007, është një nga fidanishtet më të mëdha të bimëve dekorative në Ballkan, e themeluar dhe menaxhuar nga një grua, që është shembull i investimit të suksesshëm në Maqedoninë e Veriut.
“Sot, në kuadër të ditës së ndërmarrësisë, së bashku me ambasadorin Kop, vizituam këtë kompani holandeze që 14 vite me sukses operon në tregun maqedonas, e cila në vazhdimësi shënon rritje të eksportit, rritje të numrit të të punësuarve dhe plane për rritje të prodhimit në periudhën e ardhshme. Ministria e Ekonomisë, duke e njohur rëndësinë e sipërmarrjes së grave, duke filluar nga viti 2012, prej dhjetë vitesh me radhë ka zbatuar Masën e Mbështetjes Financiare për gratë sipërmarrëse. Në 10 vitet e kaluara përmes kësaj mase janë subvencionuar gjithsej 179 kompani në pronësi dhe operim të grave me gjithsej 17.261.252 denarë.
Ministria e Ekonomisë po punon në fuqizimin ekonomik të gruas duke arritur qëllimet strategjike dhe zbatimin e masave dhe aktiviteteve të parapara në kuadër të Strategjisë për Zhvillimin e Grave Sipërmarrëse, tha ministri Bekteshi dhe u bëri thirrje të gjitha grave në vend që të inkurajohen dhe të fillojnë një biznes të tyrin dhe Ministria e Ekonomisë do t’i mbështesë.
Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Maqedoninë e Veriut, Dirk Jan Kopp, theksoi se çdo vit në nëntor, Shoqata Mbretërore e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme të Holandës feston Ditën e sipërmarrësisë.
“Vendi im bën 80% të fitimeve jashtë kufijve të tij dhe në këtë kompani European Plants mund të shihni se si realizohet kjo. Kjo është një sipërmarrje e nisur nga kjo kompani, por ka gjëra të tjera që ndikojnë në punën e saj. Kompania punëson njerëz të rinj dhe ofron mbështetje për kompanitë vendore që janë furnizues të tyre”, tha ambasadori Kopp, duke shtuar se Maqedonia e Veriut ka kushte të favorshme për një biznes të tillë si tokë pjellore, por edhe kushte konkurruese për biznes. Ai theksoi se vendi është përballur mirë me sfidat e paraqitura nga pandemia, por është gjithashtu një vend në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Pronarja e “European Plants”, Vilke Roes tha se kur kanë filluar punën në vitin 2007 kanë pasur 14 të punësuar, tani kanë 160 të punësuar, shumica e tyre nga rrethina. Ata kanë 350 hektarë në të cilat kultivojnë bimë hortikulturore. Shumica e bimëve janë për eksport në vendet evropiane, kryesisht në Rumani, Poloni dhe Gjermani, që është 95% e prodhimit, ndërsa 5% janë të vendosura në tregun vendor.
“Plani është që në periudhën e ardhshme të vazhdojmë me investimet dhe rritjen dhe zhvillimin e kompanisë dhe të mbetemi një kompani e suksesshme siç jemi tani”, tha Roes.