Ministri Bekteshi: 15% mbështetje më shumë për investimet nga bashkëqytetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë përkohësisht jashtë vendit!

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka njoftuar lidhur me ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për mbështetje financiare të investimeve të propozuara nga Ministria e Ekonomisë. Bekteshi ka sqaruar se me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për mbështetje financiare të investimeve rregullohen llojet, lartësia, kushtet, mënyra dhe procedura për ndarjen e mbështetjes financiare për investimet e subjekteve afariste që do të investojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe i njëjti paraqet skemën e ndihmës në përputhje me rregullat me të cilat rregullohet kontrolli i ndihmës shtetërore.

Ministri Bekteshi ka bërë të ditur se qëllimi i ndryshimeve dhe plotësimeve në këtë ligj është të përshpejtojë rritjen ekonomike dhe zhvillimin në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes mbështetjes së investimeve për rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe punësimeve. Me këto ndryshime dhe plotësime të ligjit zgjerohen llojet e mbështetjes financiare, edhe atë për: zhvillim teknologjik dhe hulumtime, mbështetje për projekte investuese me interes të rëndësishëm ekonomik, vendosje dhe avancim të bashkëpunimit me furnizuesit e regjistruar në RMV, mbështetje për marrjen përsipër të ndërmarrjeve në vështirësi dhe aftësi konkurruese në treg.

Me ndryshimet, shfrytëzuesi i mbështetjes financiare ka detyrim plotësues për të mirëmbajtur investimin për një periudhë prej së paku pesë viteve pas përfundimit të ndihmës financiare, me çka sigurohet seriozitet dhe qëndrueshmëri më e madhe e investimeve.
Gjithashtu është saktësuar se cilat subjekte ekonomike mund, e cilat nuk mund të jenë shfrytëzuese të mbështetjes financiare (mbështetja financiare për realizimin e projektit investues nuk mund t’i ndahet një subjekti afarist në ZZHTI për të njëjtat shpenzime të arsyeshme si edhe kompanitë tjera jashtë ZZHTI-së për të njëjtat shpenzime të arsyeshme) për të cilat tashmë është ndarë ndihmë shtetërore).