Krerët e resoreve ministrore dhe zëvendësit e tyre, në prag të zgjedhjeve parlamentare, kanë shpeshtuar konferencat për media në selitë partiake, në ditë pune dhe në orar zyrtar pune. Gjatë gjithë javës së kaluar, ministra, zëvendësministra të BDI-së, por edhe sekretarë shtetëror, pikërisht para ose rreth mesditës, kanë lënë zyrat e tyre dhe janë paraqitur në selinë partiake për t’u komunikuar mediave të arriturat e partisë gjatë këtij mandati. Ato nuk shohin asgjë kontradiktore që zhvillojnë aktivitete partiake në kohën kur duhet të bënin detyrën e ministrit ose të zëvendësministrit.
Ne si BDI tani paraqitemi për të gjitha të arriturat që kemi dhe është në vazhdën e agjendës të cilën e kemi nga PR-i i partisë. Sigurisht që respektimi i orarit të punës është mbi nivelin e duhur”-tha Shiret Elezi, zëvendësministre e Financave.
Aktivitete partiake në orar punë ka pasur edhe në terren. Javë më parë, funksionarët e BDI-së u mblodhën në Çarshinë e Vjetër të Shkupit për të promovuar revitalizimin e saj. Ata madje erdhën me vetura zyrtare. Shfrytëzimi i veturave zyrtare për aktivitete partiake gjatë fushatës është i ndaluar me ligj.
Për nevojat e fushatës zgjedhor, është e ndaluar shfrytëzimi i hapësirave të zyrave, pajisjeve të zyrave dhe veturave zyrtare të organeve shtetërore, me përjashtim të personave për të cilët vlejnë rregullat e veçanta për mbrojtje.”-thuhet në Kodin Zgjedhor.
Të drejtën e shfrytëzimit të veturave zyrtare 24/7 e kanë tre krerët e shtetit, Presidenti, Kryeparlamentari, Kryeministri, ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes. Nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit thonë se monitorojnë aktivitetet e këtilla dhe veprojnë sipas paraqitjes dhe sipas zërit të prekur.
Ekzistojnë përjashtime të rralla kur nuk janë situata të qarta, kur funksionarët shtetëror gjatë orarit të punës, gjë që nuk guxojnë ta bëjnë sepse ka të bëjë me integritetin e tyre, të bëjnë aktivitete partiake. Është e ndaluar. Jashtë orarit të punës duhet të përdorin resurset, mjetet e veta për transport ose mjetet partiake dhe assesi veturat zyrtare”-tha Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit kundër korrupsionit.
Antikorrupsioni kujton se në faqen elektronike të këtij institucioni, qytetarët në çdo kohë mund të paraqesin rastet e keqpërdorimeve të këtilla. Këtë mundësi e kanë edhe organizatorët e fushatës zgjedhore dhe vëzhguesit e autorizuar të procesit.
Analisti Agim Jonuz beson se kjo gjë nuk është karakteristike vetëm për një parti.
Po, nuk është në rregull. Është fakt se nuk është në rregull. Por, fakt është edhe që BDI-ja nuk është e vetmja që e bën atë. Nëse kritikohet vetëm BDI-ja, ekspertët e vërtetë duhet të pyeten se kush tjetër e bën atë gjë. Atë e bën gjithë shteti. Le të kalojnë zgjedhjet dhe edhe po të duam pas kësaj, kur Evropa të na kontrollojë, nuk do të mundet ta bëjmë. Ky është shfrytëzimi i fundit i fuqisë”-pohoi Agim Jonuzi, analist.
Komisioni Evropian në disa raporte ka kritikuar mos-ndarjen e qartë mes partisë dhe shtetit, konkretisht, mes aktiviteteve që kanë të bëjnë me punën e tyre dhe aktiviteteve partiake të funksionarëve.