“Ministra që nuk i pyet askush”


Shkruan: Selim IBRAIMI, Uashington

Gjendja e shqiptarëve në Ballkan pas LPB-së ishte pasojë e luftërave të brendshme për pushtet, hyrje dhe daljeve të agjenturave të huaja në viset shqiptare, që për qëllim kishin forcimin jo vetëm të grupeve kundër qeveritare qofshin të Nolit dhe me pas të Zogut, por edhe të mbajtjes së Shqipërisë në gjendje të turbullirave të brendshme. Largimi i Zogut dhe pushtimi i vendit nga italianët dhe gjermanët nuk e qetësoi Shqipërinë e copëtuar. Ardhja në pushtet e komunistëve shqiptarë, me ndihmën e serbëve, malazezëve, anglezëve dhe rusëve, i dha fund Shqipërisë natyrore dhe mundësoi lindjen e një klase politike ruso-serbe dhe maqedone, e cila do ta vazhdonte pushtetin deri në vitin 1991. Dhe, më pas, me forma të “qeverisjes demokratike” do të bënin shpartallimin e forcave progresive shqiptare, që synonin të drejtat themelore.

Akulli që nuk shkrihet në mes Shqipërisë dhe Kosovës
Përderisa korrupsioni, krimi i organizuar dhe ekonomia e zezë vazhdojnë në Shqipëri dhe në Kosovë, shoqëritë nuk do të kenë stabilitet politik dhe assesi të bëhet fjalë për shtete të forta shqiptare që mund të drejtojë procese në Ballkanin Perëndimor. Vendosja e Komandës Ushtarake Amerikane nga Gjermania në Shqipëri në bazë rotacioni dhe baza ushtarake në Kuçovë, ishin të vetmit indikatorë që qeveria e Ramës mund të krenohej. Pasiguria dhe narkotikët janë dy tiparet e shtetit shqiptar. Pjesa tjetër ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, gjithashtu mbeten të ndarë. Kosova i ka rezervat e veta dhe nuk mund të pajtohet me Serbinë dhe as me Shqipërinë. Në Kosovë, Kurti ka deklaruar se brenda mandatit të tij do të ketë marrëveshje me Serbinë. Se çfarë marrëveshje, as Kurti dhe as amerikanët nuk e dinë. Vetëm Serbia dëshiron një marrëveshje mbi baza territoriale, ndërsa aty afër është edhe diplomacia e BE-së, e cila e ka humbur lojën me Rusinë dhe nuk ka si qasje ruajtjen e tanishme të tërësisë territoriale të Kosovës, por një marrëveshje në disfavor të Prishtinës.

Një pushtim i ri rus i Ukrainës do ta ndryshonte veprimin e Uashingtonit ndaj Ballkanit dhe Serbisë, pasi nuk dihet se në çfarë pozite do të ishte Kosova përballë Beogradit. Kurti dhe Rama janë larg njëri-tjetrit dhe përderisa dy drejtuesit do të jenë në pushtet, nuk do të ketë bashkëpunim serioz ekonomik ndërmjet dy shteteve dhe mos të flasim për “bashkim kombëtar”.

Shqiptarët e Maqedonisë se Veriut qëmoti e kanë humbur drejtimin dhe janë në vartësi nga maqedonasit. Suksesi dhe dështimi i shqiptarëve shihet në ministrat e Ali Ahmetit, ku shumica janë miq të ish komunistëve maqedonas dhe me lidhje familjare po ashtu të ish komunistëve shqiptarë të LKM-së. Natyrisht, pjesa dërmuese e zyrtarëve gëzojnë autoritet të ulët në elektorat dhe tek pjesa shqiptare. Disa kanë qenë bashkëpunëtorë të Gruevskit prorus dhe vazhdojnë të gëzojnë benifite në qeveritë që janë formuar në Shkup nga viti 2017.

Së fundi edhe lideri i BDI-së AliAhmeti u deklarua rreth “OpenBalkans”, duke qenë në linjë të pikëpamjeve të qeverisë maqedonase, e cila në thellësi kryesisht është proserbe dhe antibullgare. Me Shqiptarët e Kosovës, Shkupi ka standarde të dyfishta dhe do të vazhdojë të mos investojë në rrugët e transportit që e lidhin Maqedoninë e Veriut me Kosovën dhe aspak në rajonet shqiptare brenda vendit. Këtu faji bie mbi partinë e Ahmetit, e cila për dy dekada në pushtet nuk ka ndërtuar 10 km rrugë drejt Bllacës, duke mos përmirësuar asgjë në infrastrukturën ku jetojnë shqiptarët dhe tani po gëzohet shumë me projektin e “Bechtel“-it amerikan. Sukseset individuale të Ali Ahmetit (BDI) shihen edhe si progres i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Siç dihet, atje ku jetojnë shqiptarët, infrastrukturë nuk ka dhe as kushte për jetesë. Shpeshherë, investimet private shihen si suksese të partisë dhe jetës së mirë që mund ta jetojë një zyrtar ose një mbështetës i partisë që është në pushtet. Në këtë rast të Ahmetit dhe partive të tjera që marrin pjesë në qeverinë maqedonase. Nga ana tjetër, po qe se janë dhënë ndihma ndërkombëtare për investime, po të njëjtat nuk dihen se nga kanë shkuar dhe projektet kanë mbetur të parealizuara. Jetë të mirë, sidomos në Maqedoninë e Veriut, kanë pushtetarët që vazhdimisht janë pasuruar në llogari të qytetarëve. Kjo shihet tek popullata shqiptare e Maqedonisë së Veriut, e cila nga varfëria, standardi i ulët jetësor dhe presioni, ka emigruar. Rrugëdalje ekonomike dhe drejtësi, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për habi, kërkojnë në vendet e huaja perëndimore, ndërsa – ashtu siç e quan AliAhmeti – Maqedoninë e Veriut shtet “të mirë dhe të drejtë”, po i njëjti vazhdon t’i diskriminojë. Më e keqja është se BDI dhe të tjerët kanë pushtet virtual dhe aty përfundon gjithçka.

Ata kanë pushtet për t’i goditur zërat kundër Ahmetit dhe klanit të tij dhe janë hakmarrës ndaj kundërshtarëve. Gjendja aktuale është e pakthyeshme, pasi strukturat ideologjike të Ahmetit janë instaluar në pushtetin maqedonas dhe në komunat me shumicë shqiptare. Një pjesë e gjejmë në mediat që e mbështesin atë, duke pritur ndonjë post nga partia e tij. Për të parë se si trajtohen etnitë tjera në Maqedoninë e Veriut, mjafton të kesh një çështje në gjyqësinë e shtetit ose një rast në Shkup ose në organet tjera ku pushtetin e vërtetë e kanë maqedonasit. Afër zyrtarit maqedonas mund të gjesh ndonjë shqiptar nga partia e Ahmetit ose partitë e tjera shqiptare, por pa peshë. Dhe, tani a mund të matet suksesi dhe të drejtat me politikën e partisë së Ahmetit?! Sigurisht se jo. Nëse në të vërtetë ministrat shqiptarë të BDI-së kanë aq pushtet financiar, sepse deri më tani nuk kanë marrë ndonjë nismë për të ndërtuar një qendër spitalore moderne në Tetovë ose në qytetet e tjera me shumicë shqiptare?! Shkurt, me rritjen e numrit të ministrave shqiptarë, qoftë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut apo të Malit të Zi, nuk forcohen automatikisht edhe pozitat e shqiptarëve si popull ose si pakicë etnike.

Dritan Abazoviçi, Artan Grubi, Bujar Osmani dhe të tjerët
Rasti i Dritan Abazoviçit, Artan Grubit, Bujar Osmanit, Kreshnik Bekteshit dhe shumë të tjerëve është unik. Dhe, sigurisht se nuk mund të merret si kriter matës se nga shkojnë shqiptarët në shtetet përkatëse dhe as që flet për fuqinë e tyre vendimmarrëse. Përndryshe, sipas ministrave të Ahmetit, qytetarët shqiptarë tashmë nuk kanë çka kërkojnë më shumë në Maqedoninë e Veriut dhe çdo gjë ka përfunduar. Mund të ketë me dhjetë ministra dhe zv./kryeministra shqiptarë, po përsëri në fund pronarë janë maqedonasit dhe ata i mbajnë burimet financiare, të inteligjencës, të sigurisë publike dhe të drejtësisë. Se kush duhet të qëndrojë në burg, kush duhet të lirohet dhe kush duhet të vdesë, qoftë në barkun e nënës dhe pas, janë përsëri ata, kurse ministrat shqiptarë janë vetëm vëzhgues dhe zbatues të politikave të pronarit. Rritja e numrit të ministrave është simbolike dhe tregues i kapjes së partive shqiptare, liderëve në pushtet dhe rrethit të tyre nga shteti maqedonas, malazez ose edhe prej oligarkëve ruse qofshin atje në Shqipëri.

Nga ana tjetër, forca tjera politike që mund ta ndryshojnë realitetin në Maqedoninë e Veriut tash për tash nuk kemi. Opozita shqiptare ka fituar komunat kryesore urbane, duke e sfiduar partinë e Ahmetit, por i duhet një strategji dhe taktika të reja për ta dobësuar BDI-në në momente kyçe. Deri atëherë, situata do të mbetet e pandryshuar në favor të oligarkisë së Ahmetit dhe atyre që i qëndrojnë afër.