Të martën pritet që intenzivisht të nisin bisedimet me ndërmjetësues, mes Qeverisë dhe SASHK-ut për rritje të pagave në arsim dhe kopshte dhe zbatim të marrëveshjeve kolektive. Ndërsa përgatitet programi i negociatave, VMRO-ja opozitare ka akuzuar Qeverinë se ndërmjetësuesi i caktuar për zgjidhjen e kësaj çështje është dora e djathtë e ministres për punë dhe politikë sociale Jovana Trençevska. Sipas VMRO-s, ky është mashtrim ndërsa qeveria po i poshtëron mësimdhënësit.
“Ndërmjetësuesi është një person i punësuar në kabinetin e ministres për Punë dhe Politikë Sociale. Ai nuk mund të jetë i paanshëm kur një nga palët është Qeveria, gjegjësisht Kovaçevski dhe shefja e tij Trencevska. Qeveria ka shkelur Ligjin për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Ndërmjetësues në këtë rast është caktuar Dragica Isailovska Mitrovksa, me profesion juriste. Sipas burimeve të Alsat, Isailovska Mitrovska është e angazhuar si eksperte për furnizime publike pas ardhjes së Jovana Trençevska në krye të Punës dhe Politikës Sociale. Zv/ kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi hodhi poshtë akuzat e opozitës dhe tha se zgjidhje do të gjendet.
“Sinqerisht nuk do të doja të hyj në komente të opozitës. Në parim, ndoshta ajo është mënyra e tyre e qeverisjes së gjithkush që negocion ose funksionon në kohën e tyre ka qenë i afërt me pushtetin. Unë mendoj se në fakt njerëzit të cilët janë të thirrur që të përafrojnë qëndrimet, të mediojnë ndërmjet dy palëve, të fasilitojnë një problem të cilin e kemi të hapur dhe janë të liçencuar, duhet t’i shfrytëzojmë”, deklaron Fatmir Bytyqi, zv kryeministër për ekonomi
Greva në arsimin fillor dhe të mesëm u ndërpre përkohësisht të enjten. Kështu vendosi Këshilli i SASHK-ut pasi kishte pranuar njoftim nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për zgjidhje e problemit në bazë të Ligjit për zgjidhjen paqësore te kontesteve të punës.