Mimoza Mustafai-Jonuzi: “I drejti ulëret sepse ai gabimtari hesht!”

Nga: Mimoza Mustafai-Jonuzi

Nuk mësova dot politikë bërjen me njerëzit, nuk mësova dot t’i ndërroj fytyrat sa herë që e kërkon nevoja, nuk mësova asgjë nga përvojat e jetës sepse, gjithmonë i drejti nuk di të mësoj! Nuk di të mësoj sepse nuk i duhet të mësoj refrenin e një kënge që e këndojnë të gjithë por, zgjedh të kompozoj këngën e vet.

Nuk di të ndjek turmën por dëshiron t’i lë gjurmët e veta në rrugën që shkel. I drejti ulëret sepse ai gabimtari hesht, dhe me heshtjen e tij vulos shumë fate. Po si paraqitet kjo në sy të publikut? I drejti del se është i pakulturuar sepse nga revolta e akumuluar del jashtë vetes, ndërsa ai që rri i heshtur qenka i kulturuari sepse padrejtësia është e heshtur. Fundja fundit dalin edhe injorant këta të cilët revoltohen para një të pa vërtete, sepse e vërteta është ndryshe dhe dikush mundohet të të hedh hi syve. Hmm sapunin ta shet për djathë biles!

Fundja të gjithë jemi bërë të mençur dhe filozofë. Thonë që dashuria të shndërron në filozof të pa shëruar por siç duket edhe “mençuria” e tepërt është duke na shndërruar në filozofë që nuk i hapim rrugë njëri-tjetrit sepse çuditërisht të gjithë dimë më shumë se njëri- tjetri. Njerëz të vet pëlqyer do të kisha thënë ndryshe!

Çfarë mesazhi përcjellim tek rinia e sodit?
A jemi të vetëdijshëm se arroganca jonë i mbyt, u pret krahët, motivin për të luftuar për tu bërë versioni më i mirë i vetes së tyre. Po ua vrasim ëndrrat me dorën tonë vetëm e vetëm nga egoja jonë e sëmur. Po edukojmë një rini me emocione të ndrydhura, një rini e cila nuk i lejohet të mendoj dhe të shpreh mendimin e vet sepse tregon edukatën jo të mirë familjare. Po u mësojmë intrigat që në vegjëli, nëse duan të mbijetojnë në këtë botë të sëmur jo nga viruset sezonal por nga smira, xhelozia dhe babëzia jetësore.

Po u mësojmë të ndjekin turmën dhe jo rrugën që ata do të zgjedhin sepse atëherë do të jenë të shtypur, do të jenë delja e bardhë mes të zezave. Gjërat e pa vlera po ua shesim si me vlerë, edhe aty ku mund të mësojnë atë pak dituri ua vrasim me dorën tonë duke i mbajtur të përulur se ndryshe do të dë*nohen! Ky është djali im, e kjo vajza jote!

Kjo është demokracia në mos gabohem!?
Shpesh herë e dëgjoj fjalën “mjerim” të përdorur nga disa që as nuk kanë lexuar një varg të Migjenit po, besoni se nuk ka mjerim më të madh kur ja prishni ëndrrat një të riu apo të reje që lufton për dije, për ardhmërinë e vet, për të qëndruar me këmbët e veta në tokë dhe për të ndjekur atë rrugën e pashkelur për të cilën dikush ka punuar me mish e me shpirt që ta bind se ekziston një mundësi e tillë! Dhe krejt pa pritur vjen një grusht nga mbrapa dhe rrëzon çdo ideal tëndin.

Ky është “mjerim”!
Në vend që tu japim përkrahje këtyre pak të rinjve që zgjedhin këtë lu*ftë, ne i deklasojmë dhe i nxjerrim me politikë jashtë loje! Asgjë s’mësova nga kjo jetë, sepse gjithmonë u gjenda në anën “e gabuar” të turmës!