Milloshoski: Osmani t’i publikoj përgjigjet ndaj kërkesave të palës bullgare

Deputeti dhe njëherit kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Antonio Milloshoski ka kërkuar që të mbahet një seancë publike në të cilën do të diskutohet për marrëdhëniet maqedono-bullgare. Sipas tij, ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani duhet t’i prezantoj përgjigjet e palës maqedonase ndaj propozimit bullgar të ashtuquajtur “Plani 5+1”.

“Kërkoj, sepse deputetët kanë kompetenca që të jen kontrollor të pushtetit ekzekutiv, deri tek Komisioni t’i dërgoni përgjigjet ndaj kërkesave bullgare të njohura si “Plani 5+1”, të cilat pala maqedonase i dorëzoi deri tek Sofja zyrtare në dhjetor të vitit 2021”, shkruan Milloshoski në kërkesën e tij.

“Në kontekst të euro-integrimeve dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë vlerësoj se këto përgjigje nga plani 5+1 nuk duhet të jenë sekret për deputetët, përkundrazi, për to duhet të hapet një debat serioz në Kuvend, institucion ky i cili ka kompetenca ligjore në krijimin e politikës së jashtme të shtetit”, theksoi Milloshoski në kërkesën zyrtare të dërguar deri në MPJ.

Milloshoski kërkon që kjo seancë të jetë e hapur dhe të mbahet sa më shpejt që është e mundur.