Sipërmarrësi shqiptar, Muharrem Salihu, është një rast unik i një afaristi të suksesshëm në Itali, i cili rikthehet në origjinë. Ai pas shumë vjetësh nëpër Evropë dhe i stacionuar me biznesin e tij në Venecia, u rikthye në vendlindjen e tij, Medvegjë.
Ai në një intervistë për mediat shqiptare tha se ka bërë hapin gjigand, duke investuar pikërisht në Medvegjën e boshatisur nga shqiptarët. Ai po e drejton kompaninë “Medinvest shpk” në Medvegjë, në sektorin e tekstilit, ku ka bërë investime të mëdha, duke blerë një hapësirë prej 3 mijë metrave në zonën industriale. Por fokusi i tij është edhe tek kompania e tij tjetër “Mela Holding Group” në Itali, ku është kryetar i bordit drejtues. Njëkohësisht dhe drejtues i suksesshëm i disa bizneseve në fushën e turizimit dhe sektorit imobiliar.
Në punën e tij, krahas parimeve të të drejtës, të korrektesës, të tolerancës apo të respektit mes bashkëpunëtorëve dhe kolegëve, udhëhiqet edhe nga atdhedashuria dhe fisnikëria për të ndihmuar bashkëqytetarët e tij të Medvegjës. Shembulli më i mirë për këtë është investimi më i fundit disa miliona euro që z. Salihu realizoi me themelimin e ndërmarrjes së prodhimit të çorapeve në Medvegjë.
Sfida e radhës e zotit Salihu është përmirësimi i kushteve të jetesës së bashkëqyterarëve të tij. Për të realizuar këtë objektiv jetik për ne shqiptarët, ai po bashkëpunon prej vitesh me kolegë të tij investitorë nga vende të ndryshme evropiane, për hapjen e vendeve të punës në Medvegjë, po punon fort për të forcuar shpresën dhe për të rritur besimit te shqiptarët e Serbisë, se jetët e tyre mund të përmirësohen dhe të drejtat e tyre do të respektohen, nëse ka vullnet e përpjekje.