Milevski: “Bashkëpunimi ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është një nga më të suksesshmit në rajon”

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski informoi se sot së bashku me kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov dhe kolegun e tij, ministrin e zhvillimit rajonal, Grozdan Karaxhov mbajtën fjalim para kryetarëve të komunave të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të cilat janë pjesë e programit të bashkëpunimit ndërkufitar.

“Bashkëpunimi ndërkufitar mes dy vendeve ka vazhdimësinë e saj dhe është ndër më të suksesshmit në rajon me realizim të plotë, qind për qind të fondeve nga Bashkimi Evropian. Në periudhën e dytë programore IPA kemi realizuar 73 ndërmarrje të përbashkëta në vlerë të përgjithshme prej 20 milionë euro”, tha Milevski.
Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet komunave është i rëndësishëm për marrëdhëniet e përgjithshme të fqinjësisë së mirë.

“Nuk po flasim për politikë, po flasim për realizimin e projekteve konkrete”, theksoi Milevski.
Në takim, siç njoftojnë nga kabineti i Milevskit, është biseduar për programin e ri IPA për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet dy vendeve, financuar nga Bashkimi Evropian, si dhe për përfundimin dhe hapjen e pikës kufitare “Klepalo”, po ashtu me mbështetjen e IPA-s.