Ish-deputeti Milaim Zeka deklaratën e kryeministrit në detyrë për destabilizim në rast të formimit të qeverisë së re, e ka quajtur shqetësuese, duke thënë se Albin Kurti është duke përgatitur trazira.
Ai në emisionin Debat të RTK-së ka komentuar deklarimet e Kurtit nëse do të largohet nga posti pas formimit të qeverisë së re.
“Deklaratat e kryeministrit Kurti janë kërcënuese, shqetësuese dhe institucionet e vendit nuk duhet t’i marrin si shaka gjërat e tilla, duke ditur se lobi serbo-rus janë shumë të fuqishëm në Ballkan. Kryeministri i vendit, i cili thotë se do të ketë destabilizim dhe nuk thotë se do të tërhiqet në momentin kur formohet qeveria e re, lë të nënkuptojë se është duke përgatitur trazira”, ka thënë Zeka.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka akuzuar sonte presidentin Hashim Thaçi se me veprimet e fundit antikushtetuese për formimin e qeverisë së re, po tenton të kapë trenin e fundit për të shpëtuar veten, por, siç u shpreh ai, duke u munduar ta rrëzojë Vetëvendosjen, ai do ta rrëzojë veten pakthyeshëm.
Komentet e tij vijnë pak orë pasi që kreu i vendit paralajmëroi se do t’ia japë mandatit partisë e cila do të sigurojë shumicën në Kuvend, duke anashkaluar kështu Lëvizjen Vetëvendosje si parti e parë në zgjedhjet e 6 tetorit, pasi kjo e fundit nuk ka dërguar emrin e mandatarit.
Kuri ka paralajmëruar se do të dërgojë çështjen në Kushtetuese, teksa drejtoi akuza ndaj Thaçit për tejkalim të kompetencave, madje e quajti edhe president ilegal.
I pyetur nëse do të largohet pas formimit të qeverisë së re, kryeministri Kurti nuk ka dhënë shenja për një gjë të tillë, duke thënë se qeveria që ai drejton do të vazhdojë punën kundër luftimit të koronavirusit.
“Më datën 6 tetor ka ndodhur ndryshimi madh, ka dalë zogu nga lëvozhga nuk kthehet më mbrapa. Presidentit i kanë mbetur edhe disa muaj mandat. Presidenti po tenton të kapë trenin e fundit, por i ka ikur treni i fundit, nuk ka më trena për presidentin dhe këto orvatje antikushtetuese sa e rrezikojnë rendin demokratik, por nuk mund ta shtypin vullnetin e popullit dhe të na kthejnë pas 6 tetorit… S’ka më datë tjetër, ku konjuktura e vjetër bëhen bashkë si një klub i stërvjetër që të na kthejnë mbrapa, kjo është e pamundur”, tha Kurti.