Mijëra ukrainas arrijnë çdo ditë në qytetin polak Krakow

Mijëra njerëz vërshuan stacionin kryesor të trenit në Krakow, qytetit të dytë më të madh të Polonisë. Ndërsa fluksi i refugjatëve nga Ukraina në Evropë vazhdon, autoritetet polake në Krakow vazhdojnë të mbështesin rrugëtimin e ukrainasve.

Rreth 1.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, nxituan në platformat e stacionit hekurudhor “Krakow Glowny” herët në mëngjes për të siguruar ulëse në një tren special për në Gjermani. Një vullnetar që dëshiron të mbetet anonim tha për AA se në stacion është vërejtur numër më i madh i refugjatëve në dy ditët e fundit për shkak të korridoreve të reja njerëzore në Ukrainë.

Sipas autoriteteve lokale, midis 150-200 mijë ukrainas janë duke qëndruar aktualisht në qytet. Megjithatë, mijëra të tjerë vijnë në qytet çdo ditë nga qytetet kufitare, duke përfshirë qytetet Lublin dhe Przemysl. Të paktën 1.842 civilë janë vrarë dhe 2.493 janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia filloi një luftë më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së, ndërsa shifra reale dyshohet të jetë shumë më e lartë. Rreth 4,6 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët./Anadolu Agency/