Rreth 5200 banorë, në mesin e të cilëve mbi një mijë fëmijë në Komunën e Shuto Orizarës nuk kanë mjek amë. Aktivistët nga sektori civil thonë se pavarësisht konkurseve publike, mjekët nuk shfaqin interesim për të punuar në këtë komunë, pasi siç thonë aktivistët edhe përkundër betimit të Hipokratit angazhimin në poliklinikën e Shutkës e konsiderojnë si dë*nim.
“Sot jemi këtu të ndajmë shpërblimin “Poliklinika më e keqe në Shkup”. Të dhënat tona zyrtare që i kemi siguruar përmes kërkesës për qasje deri tek informacionet me karakter publik, ka rreth 250 mjek të përgjithshëm që janë paraqitur si të papunësuar, në mesin e tyre vetëm një rom. Për shkak të kësaj situatë, po humb durimi tek qytetarët“, tha Fadil Xhemail, aktivist i sektorit civil.
Në kohë pandemie banorët e Shuto Orizares janë edhe më të rre*zikuar, pasi nuk kanë ku të caktojnë orar për testim PCR. Përveç mungesës së mjekëve amë, në këtë poliklinikë nuk ka as gjinekolog.
“Në Shuto Orizare jetojnë prej 8 mijë deri 13 mijë gra që janë në periudhë riprodhimi. I gjithë procesi për hapjen e ordinancës gjinekologjike po zvarritet. Veçanërisht rre*zikohen gratë shtatzënë”, pohoi Salija Bekirkale-Iniciativa “ Gratë nga Shuto Orizare”.
Banorët e kësaj komune thonë se institucionet nuk shqetësohen fare për shëndetin e tyre.
“Turp është kjo punë. Nuk ka as gjinekolog, as doktor. Nuk shqetësohet për ne ministria, sidomos për romët në Shutkë, nuk shqetësohen”
“Duhet të kuptohemi, këtu nuk ka aspak kushte. Kushtet janë në zero. Nuk kemi asgjë këtu..”
“Këtu ka edhe familje pak më të varfra, të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë transport për të shkuar në qytet, në spital apo në institucionet tjera shëndetësore, për t’u kontrolluar apo për të bërë pasqyrën e gjakut, veçanërisht tani në periudhë pandemie”
Romët e komunës së Shuto Orizares thonë se mjekët në institucionet e tjera shëndetësore nuk i pranojnë, sepse kanë pacientët e tyre. Tre mjekë amë të kësaj poliklinike janë pensionuar, ndërsa e njëjta gjë pritet të ndodhë së shpejti edhe më dy të tjerë që për momentin kujdesen për shëndetin e romëve në Shutkë.