Mijallkov riktheu banesat / Nebiu: Kjo është një paradoks, nuk kemi çfarë të bëjmë sepse ligji ua lejon

Drejtori i Agjencisë për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar, Driton Nebiu në një deklaratë për TV21 thotë se nuk kanë të drejtë ligjore për të ndryshuar faktin që i biri i Sasho Mijallkovit, Jordani riktheu pronat e konfiskuara të babait të tij të dënuar në raste gjyqësore.

Nebiu thotë se kjo lejohet me ligj dhe se si institucion shtetëror nuk kanë të drejtë ligjore për t’ia ndaluar ndonjë subjekti fizik blerjen e pasurisë së konfiskuar nga shteti.

Megjithatë, e vlerëson si paradoks.

“Kjo që po ndodhë në vendin tonë është një paradoks. Ne jemi të detyruar rë respektojmë ligjin. Ligji qartë thotë se çdo person fizik apo person juridik nga Maqedonia e Veriut që plotëson kushtet, mund të aplikojë dhe të blejë atë patundshmëri. Këtu përfshihen edhe familja më e ngushtë e çdo të dënuari jo vetëm të Mijallkovit. Ne nuk mund të dalim mbi ligjin. Sinqerisht mua si drejtor nuk më pëlqen kjo sepse me të vërtetë nuk ka kuptim t’ia konfiskosh babait e t’ia shesësh djalit. Në fund të fundit ne si Agjenci përsëri i kthyem të hollat në buxhet”, tha Nebiu./TV21