Miftaraj: Vendimi i Kushtetueses ka një hile të madhe, Albin Kurti s’mund të kandidojë për deputet

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ua pamundëson Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit, Faton Topallit e shumë të tjerëve që ishin dënuar për vepra penale dhe me kusht, të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Miftaraj, përmes një postimi në Facebook, tha se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka “një hile të madhe”.
“Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli e shumë tjerë të dënuar për vepra penale edhe me kusht nuk do të mund të kandidojnë në zgjedhjet që do mbahen në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka një hile të madhe”, ka shkruar Miftaraj, transmeton Telegrafi.

Në aktvendimin e Gjykata Kushtetuese me të cilin është hedhur poshtë vota e deputetit Etem Arifi,e cila ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, thuhet gjithashtu se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

“Në lidhje me këtë, Gjykata potencon nevojën që Kuvendi i Republikës së Kosovës me komisionet e tij, në bashkëveprim me institucionet gjegjëse, duke përfshirë edhe KGJK-në dhe KQZ-në, të qartësojnë dhe konsolidojnë bashkëpunimin ndër-institucional dhe aspektet normative që kanë të bëjnë me kandidimin në zgjedhje parlamentare dhe ushtrimin e mandatit të deputetit, nga ana e personave të dënuar për vepra penale”, thuhet në Aktvendimin e Kushtetueses.