Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski nuk komenton dorëheqjen e paralajmëruar për ditën e martë të Zaevit nga kreu i partisë. Ai thotë se mbeten të fokusuar dhe nuk tërhiqen nga kërkesa për zgjedhje të reja parlamentare. LSDM-ja për të martën ka paralajmëruar takim të kryesisë qendrore për të zyrtarizuar dorëheqjen e Zaevit nga kreu i partisë.
“Sa i takon pyetjes nëse Zoran Zaevi do të japë dorëheqje nuk do të doja të komentoja sepse shumë herë edhe në të kaluarën e ka thënë dhe e ka tërhequr fjalën. E lejmë që të vendosë ai. Unë vërtetë nuk dua të përzihem në punët e LSDM-së. Ajo është çështje e tyre dhe ata le të vendosin për zgjedhjet kadrovike. Siç thash ne jemi të fokusuar ta plotësojmë atë që e kemi premtuar para qytetarëve sepse qytetarët presin vërtetë të formojmë të ardhme të re, të mos jetë ajo e shkruar vetëm në letër por edhe të kemi arritje”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së
Partia e Mickoskit e konsideroi për keqardhje edhe veprimin e Alternativës e cila filloi negociatat për hyrje të mundshme në Qeveri. Megjithatë, deri në këto momente, palët nuk bëjnë me dije detaje të tjera rreth negociatave, përveç atyre që deklaruan Zaev dhe Gashi pas takimit.
“Takimi i parë me Alternativën u realizua para pak ditësh. Tani kemi hyrë në procesin e konsultimeve brendapartiake, edhe në LSDM edhe te Alternativa për gjetjen e gjuhës së përbashkët. Për të gjitha aktivitetet e reja që kanë të bëjnë me diskutimet me këtë parti, opinioni do të informohet në kohë, tha Goce Georgievski, nga LSDM-ja.
Zaev pas takimit kishte deklaruar se do t’i shqyrtojë në parti dhe me partnerët e koalicionit kushtet e kërkuara nga Alternativa kurse kjo e fundit kishte deklaruar se do ta diskutojë në organet e partisë hyrjen eventuale në pushtet ose qëndrimin në opozitë. Liderët thanë se nuk kanë biseduar për ndarje të mundshme resorësh ministrore. Vendimi, thanë ata, do të merret brenda ditëve të javës së ardhshme.