Mickovski tregon dhëmbet: Para ambasadorit rus kam shprehur mbështetje për Ukrainën

Opozitarja VMRO-DPMNE, fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski e vlerësoi si “demagogji boshe” duke kërkuar masa konkrete për ndihmë të qytetarëve për shkak të rritjes së çmimeve dhe inflacionit. Në vend përballemi me “stagflacion” ose kombinim të inflacionit dhe të çmimeve të larta, por stagnim të ekonomisë, theksoi Mickoski, duke kërkuar që Qeveria të heqë dorë nga tatimet dhe detyrimet, në mënyrë që të kontrollohet çmimi i lëndëve djegëse dhe produkteve tjera të shtrenjtuara.

I kritikuar nga partitë në pushtet se nuk ka qëndrim për agresionin rus në Ukrainë, lideri i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, nga foltorja në Veles sot theksoi se qëndrimin e tij ka shprehur para sulmeve.

HRISTIJAN MICKOSKI, VMRO-DPMNE

“Kam pasur takim me ambasadorin e Federatës Ruse në selinë e VMRO-DPMNE-së para 20 ditëve dhe duke e parë në sy i thashë qartë se e mbështes integritetin territorial dhe sovranitetin e çdo shteti të pavarur siç është Ukraina. Kjo është e rëndësishme sepse jo shumë moti Maqedonia jonë ka qenë objekt i agresionit nga veriu dhe nga perëndimi. Për këtë arsye ne nuk guxojmë të lejojmë dëmtim të integritetit territorial të asnjë vendi sovran.”

Duke kërkuar që t’i jepet shans paqes, por edhe të tregohet unitet në lidhje me këtë çështje në vend, Mickoski sugjeroi miratimin e dy deklaratave të Kuvend, njëra për mbrojtjen e Ukrainës, ndërsa tjetra për figurën historike të Goce Dellçevit, të cilën, siç tha “këta të pushtetit refuzojnë ta mbështesin”.