Mickovski: Jam i gatshëm të bisedoj me të gjitha partitë, nuk pranoj kushte

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski paralajmëroi se në ditët në vijim do të hapen bisedime me të gjitha partitë politike, pas çka do të shihet se si do të zhvillohen punët për formimin e qeverisë së re. Ai tha se është i gatshëm të bisedojë me të gjitha partitë politike, por se këtë nuk do ta bëjë nën shantazhe dhe kushtëzime.

“Jam i gatshëm që të negocioj sepse besimin të cilin e sjell VMRO-DPMNE për këto zgjedhje është më i madh, por ajo për çka nuk jam i gatshëm të bisedoj është kushti. Unë nuk punoj nën diktat”, tha Mickovski në konferencën e sotme për media, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se a do ta pranonte kushtin e BDI-së për kryeministër shqiptar.
Lideri i VMRO-DPMNE-së nuk deshi të tregoj se a ka biseduar mbrëmë me ndonjë nga liderët e partive të bllokut shqiptar.

“Nuk bëmë koalicion parazgjedhor me partitë politike nga blloku shqiptar, por nuk domethënë se nuk do të bëjmë koalicion pas zgjedhjeve. Edhe në vitin 2016 edhe këtë herë, koalicioni i VMRO-DPMNE-së ka më shumë deputetë se sa koalicioni i LSDM-së. Derisa populli e jep mbështetjen për VMRO-DPMNE-në, ne do të luftojmë për popullin”, shtoi Mickovski. Në lidhje me propozimin e liderit të LSDM-së Zoran Zaev për mbështetje të ndërsjellë me deputetë për formim eventual të qeverisë, Mickovski potencoi se nuk ka qëllim që ta bëjë këtë.

“Unë siç thashë edhe gjatë fushatës parazgjedhore me njerëz të dyshuar për krim nuk kam për qëllim të koalicionoj”, theksoi ai.
I pyetur se a është i njoftuar me atë se janë paraqitur informacione të caktuara për mospërputhje të rezultateve nga procesverbale në disa vendvotime me ato të publikuara në KSHZ për të njëjtat, tha se për këtë ka biseduar me kryetarin e KSHZ-së Oliver Spasovski.

“Ka disa raste të tilla. Bisedova me kryetarin e KSHZ-së. Në bazë të asaj bisede që e përfundova me të u sigurova se po kontrollohet procesverbal pas procesverbali dhe se gjatë ditës KSHZ do të dalë me qëndrim final sepse dje ishte cak i një sulmi të hakerëve. Nga ajo që më tha sot pasdite pas shqyrtimit të të gjithë procesverbaleve do të ketë pasqyrë të qartë për rezultatet”, theksoi Mickovski.

Paralajmëroi se komisioni juridik i partisë punon në disa ankesa eventuale për të cilat ka afat prej 72 orëve që të dorëzohen deri te Komisioni, dhe se deri në mbrëmje ose deri nesër do të dihet se në cilat vende dhe a do të ketë ankesa. Mickovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve theksoi edhe se rezultatet flasin se politikanët e kanë dëshpëruar popullin, por se për këtë ishin të vetëdijshëm edhe më parë në fushatë.

“Populli është i dëshpëruar nga politikanët për këtë flisja edhe gjatë fushatës. Të gjithë duhet të marrim mësim dhe më shumë të mos e dëshpërojmë. VMRO-DPMNE dhe unë personalisht do të bëj analizë serioze dhe të hollësishme se në cilat pjesë unë personalisht dhe partia e kemi dëshpëruar. Do të përmirësohemi dhe do të shohim se si do të rrjedhin punët”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së.