Mickoski: “Të respektohen maqedonasit në Bullgari”


Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski ka reaguar për hapjen e klubit kulturor bullgar “Ivan Mihajllov” në Manastir në të cilin mori pjesë edhe një delegacion nga Bullgaria i udhëhequr nga kryeministri Kirill Petkov. Mickoski tha se kur të kthehet në Sofje, Petkov duhet të marrë shembull nga Manastiri dhe në Bllagoevgrad dhe Sandanski të hap një qendër të këtillë kulturore maqedonase për mijëra maqedonas që jetojnë atje.

“Këto pak bullgarë të Maqedonisë të cilët gjatë regjistrimit, i cili ishte ashtu siç ishte, jo i plotë dhe manipulues, u shprehën se rreth 800 prej tyre e flasin gjuhën bullgare si gjuhë amtare, duhet ta këshillojnë Petkovin që të njëjtën ta bëjë në Bullgari për maqedonasit që jetojnë atje dhe në këtë mënyrë me të vërtetë do ta dëshmojë edhe në vepër atë vëllazërimin për të cilën ai flet vazhdimisht dhe e ka gojën plotë për vëllazëri dhe miqësi. Miqësia nuk flitet dëshmohet me vepra”, tha Hrisrtijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski tha se Petkov duhet në Manastir të përulet dhe të kërkojë falje tek varrezat hebraike, ashtu siç e kanë bërë këtë në të kaluarën shumë diplomatë gjermanë për viktimat në luftën e dytë botërore gjatë okupimit fashist bullgar. Ndërkohë partia e “E Majta” ka akuzuar pushtetin se hapur promovon glorifikim dhe rehabilitimin e bashkëpunëtorëve fashist. Kjo parti paralajmëroi dorëzimin e propozim deklaratës në Kuvend për të dënuar promovimin e fashizmit.

“Duke theksuar se sot neofashizmi në shtetin tonë është fenomen bashkëkohor, i cili etablon me elemente të fuqishme mohuese, nënçmuese dhe skajshmërish anti-maqedonase, njoftojmë se ‘E majta’ në Kuvend do të dorëzojë deklaratë për dënimin dhe luftimin kundër çfarëdo lloj forme të glorifikimit, rehabilitimit dhe promovimit të fashizmit”, njoftojnë nga partia “E Majta”.
Nga “E majta” thonë se theksi i deklaratës do të jetë tek lufta kundër revizionizmit historik dhe rehabilitimit të bashkëpunëtorëve të tyre./Alsat.mk