Mickoski: Pres fitore të madhe në zgjedhjet presidenciale

Kryetari i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski, ka thënë se pret që partia e tij të korr fitore në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në muajin maj të këtij viti.

“Unë personalisht pres fitore të madhe të OBRM-PDUKM-së në zgjedhjet presidenciale. OBRM-PDUKM-ja është parti transparente dhe për këtë arsye është hapur konkursi për kandidatin për president”, tha Mickoski, i cili mori pjesë në liturgjinë e krishtlindjeve në Shkup, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai shtoi se konkursi do të zgjasë deri më 31 janar dhe deri atëherë opinioni do të njihet me emrat që kanë aplikuar në konkurs.

Mickoski tha se ka komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e partive politike shqiptare dhe tha edhe pse takimet nuk janë zyrtare, diskutohet për shumë tema përfshirë edhe zgjedhjet presidenciale.

Ndërsa i pyetur për Ligjin për korrupsion, Mickoski tha se vërejtjet e tyre janë parimore dhe janë shprehur në grupin e punës në Kuvend. Ai shpreson se LSDM do të tërheq ligjin nga procedura.