Mickoski paralajmëron zvogëlim të administratës – zvogëlim të pozitave të drejtorëve, bordeve drejtuese, uljen e numrit të deputetëve

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, njoftoi heqjen e drejtorëve ekonomikë, zëvendësdrejtorëve dhe disa institucioneve, duke premtuar shkurtimin e administratës publike.

“Qeveria e ardhshme nuk do të ketë më drejtorë organizativë ose të ashtuquajtur drejtorë ekonomikë në institucionet shëndetësore nëpër Maqedoni, me çka administrata do të zvogëlohet për rreth njëqind funksionarë. Gjithashtu, menjëherë pas formimit të qeverisë, do të fillohet me realizimin e një premtimi tjetër të përbashkët me partnerët e ardhshëm të koalicionit, e ai është një Qendër Klinike, që do të thotë se do të kemi edhe pesëdhjetë funksionarë më pak.

Gjatë formimit të bordeve drejtues, kemi rënë dakord që ky numër të zvogëlohet me 20 për qind. Hapi i ardhshëm është heqja e pozicionit të zëvendësdrejtorëve dhe ulja e numrit të deputetëve në parlament nga 120 në 90, gjë që do të kërkojë hapjen e Kushtetutës. Shkurtimi do të jetë më shumë se 10 për qind, siç ishte premtuar në program,” deklaroi Mickoski.

Ky njoftim vjen pasi, pa debat publik, u miratua një Ligj që rrit numrin e ministrive.