“OBRM-PDUKM-ja do të votojë për ndryshime kushtetuese, nëse referendumi për marrëveshjen me Greqinë ka sukses dhe miratohet nga qytetarët”.
Këtë vendim e ka paralajmëruar kryetari i kësaj partie Hristijan Mickoski, duke theksuar se opozita do të kontribuojë për arritjen e numrit të dy të tretave në Kuvend, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Qëndrimi i OBRM-PDUKM-së rreth çështjes së emrit është i qartë dhe i njohur. Referendumi që nuk do të jetë detyrues, OBRM-PDUKM-ja nuk do ta mbështet. Nëse referendumi është detyrues dhe i suksesshëm, gjithë ne do të duhet ta respektojmë, jo vetëm partia jonë. Por ai së pari duhet të jetë demokratik, pa manipulime dhe duhet të përmbushen të gjitha parakushtet para se të mbahet”, tha Mickoski.
Përndryshe, kryeministri Zoran Zaev e ka lënë të hapur mundësinë që referendumi mund të jetë vetëm formal dhe konsultues.
Ndërsa Mickoski ka paralajmëruar se praktikisht do të udhëheq fushatë kundër ndryshimit të emrit.