Mickoski me ultimatum për Filipçen dhe Hasanin! Xhaferi nuk do ta pranojë propozim-vendimin për shkarkim

Kryetari i VMRO-DPMNE-së me ultimatum deri te ministri i shëndetësisë Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani.

“Japim afat deri të martën, paradite. Ministri i shëndetësisë dhe zëvendësi i tij t’i deponojnë dorëheqjet e tyre në Kuvend që të njëjtat të mund të konstatohen në fillimin e seancës së re që është caktuar për atë ditë”, tha Mickoski.

Por, nëse nuk deponohen, kjo parti rrugëdaljen e sheh te neni 184 i Rregullores.

-Duke marrë parasysh se që nga muaji mars paralajmëroni se keni shumicë në Kuvend, pse nuk e bëni këtë gjë menjëherë në Kuvend?

“Unë thashë se nëse shkojmë me interpelancë, sirtari i kryeparlamentarit Talat Xhaferi është i stërmbushur me interpelanca të tilla të cilat për fat të keq, për shkak se i mbron kuadrot e paafta në Qeveri, asnjëherë nuk gjenden në rend të ditës”, tha Mickoski.

“Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në bisedë për TV21 thotë se neni 184 ka të bëjë me procedurën ligjvënëse në pjesën e marrjes së vendimeve, deklaratave, rezolutave, por në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë me shkarkime, duke shtuar se procedura te neni 184 hapet në fazën e leximit të dytë”, raporton gazetari i TV21, Jovica Paunoski.

Xhaferi shpjegon se nëse merr propozim për shkarkim nga kryeministri, dorëheqja e ministrit ose zëvendës ministrit do të konstatohej në seancën e parë të ardhshme. Nga Aleanca për Shqiptarët kërkuan që kryeministri Zaev dorëheqjet t’i deponojë në Kuvend.

“I bëjmë thirrje që sot të thërret mbledhje të Qeverisë. T’i dorëzojë dorëheqjet në Kuvend dhe kuvendi që nesër t’i konstatojë pa asnjë vonesë. Kërkesa jonë për përgjegjësi politike dhe morale nuk është as për së largu politizim i këtij rasti siç tentojnë ta quajnë pushtetarët por është kërkesë e qytetarëve dhe obligim ligjor”, deklaron Bekim Tateshi, nga ASh.

Dorëheqje mund të dorëzojë çdo bartësi i funksionit publik, por nëse i njëjti është i inkriminuar atëherë mund të kërkohet dorëheqja e tij. Këtë kryeministri mund t’ia propozojë Kuvendit, 5 deputetë përmes interpelancës, vetë zyrtari, deri te Kuvendi, të shpërbëhet Kuvendi ose kryeministri të japë dorëheqje, që do të thotë fund i funksioneve të të gjithë ministrave.