Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski nuk komenton dorëheqjen e paralajmëruar për ditën e martë të Zaevit nga kreu i partisë. Ai thotë se nuk tërhiqet nga kërkesa për zgjedhje të reja parlamentare.
Këto komente Mickoski i bëri gjatë qëndrimit në Ohër.“Sa i takon pyetjes nëse Zoran Zaevi do të japë dorëheqje nuk do të doja të komentoja sepse shumë herë edhe në të kaluarën e ka thënë se e ka tërhequr fjalën. E lejmë që të vendosë ai. Unë vërtetë nuk dua të përzihem në punët e LSDM-së. ajo është çështje e tyre dhe ata le të vendosin për zgjedhjet kadrovike. Siç thash ne jemi të fokusuar ta plotësojmë atë që e kemi premtuar para qytetarëve sepse qytetarët presin vërtetë të formojmë të ardhme të re, të mos jetë ajo e shkruar vetëm në letër por edhe të kemi arritje”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski tha se nga drejtorët e ndërmarrjeve publike nëpër komuna ka dëgjuar se çmimi i rrymës është dy deri tre herë më i lartë se më parë për, siç tha ai, “punën e pamatur të paraardhësve të tyre”.
“Ky është një problem serioz që do ta ndiejnë ndërmarrjet publike dhe komunat, por edhe kompanitë që e kanë ndjerë prej kohësh. Më në fund qytetarët do ta ndjejnë në fund. U organizuan në kartele për të plaçkitur ELEM-in dhe REK-un e Manastirit dhe tani do të shpenzojnë nga rezervat shtetërore për të riparuar vrimën financiare dhe për ta servisuar mungesën e rrymës. Na presin kohë të vështira dhe shumë para të qytetarëve në vend të projekteve kapitale do të përfundojnë në xhepat privatë”, tha Mickoski.