Mickoski: “Kovaçevski fshihet nën fustanin e BDI-së”

Thirrja e kreut të opozitës Hristijan Mickoski për një takim liderësh përfundoi pa sukses. Propozimi i tij për të diskutuar datat e zgjedhjeve, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe çështje të tjera të rëndësishme për vendin nuk u mbështet. Sot, ai tha se edhe pa një takim liderësh, afatet për zgjedhjet do të vijnë, por përsëri bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Nëse data do të përcaktohet nga takimi i liderëve apo me forcë, në rregull, ky është vendimi i tyre. Ne e vlerësuam se shtetërore ishte qasja që ne të ulemi, siç ka qenë praktika për më shumë se tre dekada, për të përcaktuar ato data. Në vend që të jetë frikacak dhe të fshihet nën fustanin e partnerit të koalicionit BDI, le të dalë në zgjedhje dhe do të shohim se kush kë do ta fitojë, cilat do të jenë rezultatet”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Më herët, kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se nuk ka nevojë për një takim liderësh pasi zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare do të mbahen në afatin e rregullt. Partitë gjithashtu kanë pikëpamje të ndryshme nëse zgjedhjet duhet të mbahen në të njëjtën ditë ose së pari duhet të ketë zgjedhje presidenciale e pastaj parlamentare. Sipas kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, zgjedhje të mundshme të dyfishta mund të mbahen më 5 maj. Për BDI-në, siç tha nënkryetari i partisë Bujar Osmani, çdo opsion është i pranueshëm.

“Zgjedhjet do të jenë në afat të rregullt dhe nëse ato do të jenë së bashku ose veçmas, ne do të duhet të marrim vendimin së bashku, sepse nuk varet nga ne… Neve na përshtatet çdo variant”, tha Bujar Osmani – Nënkryetar i BDI-së.

Nëse nuk ka ndryshim në bazë të ndonjë marrëveshjeje politike, zgjedhjet e rregullta presidenciale duhet të shpallen në prill ose maj të vitit të ardhshëm, ndërsa ato parlamentare në maj ose qershor. Për herë të fundit, Kovaçevski dhe Mickoski u ulën në një tryezë në qershor të këtij viti, por nga takimi nuk doli asnjë marrëveshje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. /Alsat.mk