Zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza politike sipas kryetarit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski është që Qeveria menjëherë të shpërbëhet dhe të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai kështu u përgjigj në pyetjen për masat e reja anti-covid të paralajmëruara nga ministri i shëndetësisë Venko Filipçe.
“Masa e vetme që duhet të merret dhe të jetë funksionale është që menjëherë të shpërbehet kjo Qeveri, të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe me atë të largohet ky ministër i shëndetësisë dhe ky Komision për Sëmundje Ngjitëse i udhëhequr nga politikologu Karaxhoski”
Në dorëheqjen e Zaevit, Mickoski shprehet skeptik. Thotë se ai disa herë nuk i ka qëndruar fjalëve që vet i ka thënë.
“Sa i përket asaj se a do të jep dorëheqje Zoran Zaev, nuk do të doja të komentoj, sepse ai në të kaluarën ka thënë disa herë por nuk e ka realizuar, kështu që e ia lëmë atij të vendos. Tha disa here se do të bëjë shumë punë por asgjë nuk bëri kështu që të presim deri të martën se çka do të ndodh”, shtoi Mickoski.
Ndryshe Kryeministri dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev të martën do të kërkojë të konstatohet dorëheqja e tij, pas çka partia do të duhet ta zgjedhë kryetarin e ri, kurse në krye të Qeverisë të vijë mandatari i ri. Siç tashmë raportohet , favorit për këtë post është zëvendësministri aktual i Financave, Dimitar Kovaçevski, por Zaev të premten nuk i pohoi, e as nuk i mohoi këto zëra.
Të martën gjithashtu pritet që edhe partia Alternativa të vendos për hyrje ose jo në Qeveri. Kjo parti njëherë nënshkroi iniciativën për ta rrëzuar Qeverinë, ndërsa tani po diskuton bashkëqeverisje me të njëjtën. Kryetari i kësaj partie Afrim Gashi pas takimit që pati me Zaevin, tha se është i obliguar që të përpunojë dy variante të zgjidhjes. E kjo pritet të vendoset të martën në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie.