Mickoski e pret dorëheqjen e Zaevit deri të hënën! Nëse nuk arrin të formojë Qeveri stabile, do të shkohet në zgjedhje

Edhe pse dje Mickoski paralajmëroi se në qoftë se Zaevi sot nuk e deponon në Kuvend dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit, do të nisë iniciativë për votëbesimin e Qeverisë, megjithatë ai sot ndërroi mendje dhe këtë punë tani e shtyn për të hënën. I pyetur – nëse me shumicën e re parlamentare do ta formojë Qeverinë ose kjo bëhet vetëm për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, Mickoski pa qëndrim konkret.

“Presim të hënën të arrijë dorëheqja e Zoran Zaev. Në rast se nuk arrin, atëherë do të nisim iniciativë për mosbesim të Qeverisë.
Opsion për çfarëdolloj Qeverie, përveç Qeverisë me peshë politike, nuk është opsion. Në qoftë se nuk arrijmë të formojmë një Qeveri të tillë me peshë politike, atëherë është logjike të kemi zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare”, deklaroi Mickoski.

Nga LSDM-ja dolën me kumtesë në të cilën thuhet se qëllimi i Mickoskit është ta rrëzojë Qeverinë, e jo ta çojë vendin përpara.

“Sot populli dëgjoi nga Mickoski se qëllimi i tij është ta rrëzojë Qeverinë me partinë politike e cila është pjesë e Qeverisë aktuale – Besën, se vendin do ta çojë përpara, por me partnerin koalicioni i cili është anti-NATO dhe anti-amerikan – E Majta. Këto ditë do të shohim nëse do të zgjedhet Qeveria e re anti-demokratike, anti-Prespës, anti-NATO-s, anti-BE-së dhe nëse Mickoski ka kapacitet dhe përgjegjësi”, thonë nga LSDM-ja.

Por, a është i sigurt Mickoski në shumicën e re parlamentare, duke pasur parasysh faktin se partitë shqiptare nuk janë të lumtura sepse pjesë e kësaj shumice është edhe E Majta në krye me Apasievin? Mickoski disa herë i tregoi nënshkrimet e grumbulluara.
“Ja, këtu janë nënshkrimet, këtu para meje. Ja këtu janë 61 nënshkrimet.
A do të kemi 61, tani nuk mund t’jua them këtë. Ndoshta do të kemi 70 ose më shumë. Pasi të filloj dhe pasi e marr mandatin nga ai që e jep, atëherë do të mbaj konferencë për shtyp, do t’i drejtohem opinionit publik dhe do të tregojmë se po fillojmë negociatat, se po fillojmë me krijimin e shumicës së deputetëve të cilët mund të jenë më shumë se 61. Por, në qoftë se nuk e arrijmë këtë, atëherë sërish do të drejtohemi para opinionit publik dhe do të tregojmë – nuk e arritëm për shkak të këtyre arsyeve”, shtoi Mickoski.

Mickoski akuzoi se është ushtruar trysni ndaj nënshkruesve të shumicës.

“Qysh gjatë ditës së djeshme ushtrohej presion i ashpër mbi disa prej këtyre personave që e vendosën nënshkrimin e tyre në këtë iniciativë. Por, tani për tani nuk kam asnjë informacion se dikush do të hezitonte dhe do të dilte nga ky dokument”, potencoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.