Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski lidhur me vendosjen e kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko në listën e zezë amerikane, tha sot se ky është vetëm një konfirmim i asaj që ndjejnë qytetarët e vendit. Ai tha se në atë listë është vendosur një kryetar komune i cili është pjesë e udhëheqësisë së lartë të partisë politike Bashkimi Demokratik për Integrim, sepse kanë prova se ka kriminalitet të madh, por edhe se ka ndikuar në gjyqësorin dhe marrjen e vendimeve gjyqësore.
“Nuk kemi nevojë që dikush tjetër të na thotë se në Republikën e Maqedonisë ka kriminalitet, këtë e ndjen çdo qytetarë, pasi kur t’i pyesësh ata do të thonë se për fat të keq Maqedonia është vendi më i kriminalizuar, shtet ku sundojnë klane. Shihni disa familje në Maqedoni që janë pjesë e udhëheqësisë më të lartë të partive politike në pushtet. Fitojnë pasuri milionëshe, të tillë janë shembujt që kemi parë dhe dëshmuar muajt e fundit. Rasti i fundit me qendrën afariste Soravia, më parë dyqane, hotele në qendër të Shkupit”, deklaroi Mickosk.
Sipas kreut të opozitës i vetmi që mbron Merkon është kryeministri Dimitar Kovaçevski.
“I vetmi që mbron Merkon është Dimitar Kovaçevski, edhe vetë BDI-ja hesht dhe prandaj do ritheksoj se derisa sa këtë mafia nuk e pastrojmë nga rrënjët, Maqedonia nuk do të ecë përpara dhe nuk do të ketë shpresë dhe do të vazhdojë të zbrazet”, tha ai dhe shtoi se “Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së merr përsipër ta çrrënjos kriminalitetin”.