Mickoski: Ali Ahmeti dhe BDI po bëhen çdo ditë një faktor i destabilitetit

Ali Ahmeti vazhdon të jetë një faktor i destabilitetit dhe kjo më shqetëson, por shqetëson edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, pasi Ali Ahmeti dhe BDI po bëhen gjithnjë e më shumë, dhe çdo ditë, një faktor i destabilitetit,” deklaroi kryeministri Hristian Mickoski.

Duke komentuar deklaratën e BDI-së se qeveria po shkatërron të gjitha arritjet e deritanishme në shtet dhe se nëse preket ligji për gjuhët, të gjithë shqiptarët do të ngrihen, kryeministri Mickoski theksoi se kjo është pjesë e retorikës së opozitës, e cila nuk do të mund të shkaktojë destabilitet. Sipas tij, këto janë përpjekje për të krijuar tensione, por se ato nuk do të kenë ndikim në stabilitetin e vendit.

“Jemi mësuar me deklaratat e Ali Ahmetit, që të jetë një faktor destabilizues, me retorikën e tij luftuese që nxit trazira dhe pasiguri. Por, ajo që thotë nuk mendoj se mund të shkaktojë destabilitet, sepse shqiptarët, por edhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë, janë të vetëdijshëm për gjithçka ka bërë ai dhe disa të tjerë rreth tij gjatë këtyre më shumë se 20 viteve kur ishin në pushtet. Pres që mesazhi i tij të lidhet me ata gjyqtarë kushtetues që ai i ka emëruar në Reçicë dhe ata në Bihaçka, të cilët janë aktualisht në Gjykatën Kushtetuese. Ligji për përdorimin e gjuhëve është në Gjykatën Kushtetuese dhe, nëse shikohet, atje janë njerëzit që dolën nga “teferçja” e Reçicës dhe Bihaçkës. Mendoj se presioni ndaj këtyre njerëzve vazhdon dhe kërkohet një strukturë për të përcjellë mesazhin. Nuk mendoj se kjo është diçka serioze, por ai vazhdon të jetë një faktor destabilizues dhe kjo më shqetëson, por shqetëson edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, pasi Ali Ahmeti dhe DUI po bëhen gjithnjë e më shumë dhe çdo ditë një faktor destabilizues,” theksoi Mickoski.

Për kryeministrin, qëndrimi i BDI-së se ai po u kërcënon opozitarëve duke abuzuar me pozitat shtetërore është i papranueshëm.

“Kriminelët politikë duhet të shqetësohen. Deklarata e BDI-së lidhet me deklaratën time të djeshme, ku thashë se kur prokurorët duhet të realizojnë aksion kundër kriminelëve që ishin pjesë e qeverisjes së kaluar 7 vjeçare, ata atëherë marrin virusin e stomakut, temperaturë, grip… Poentimi është që puna të kryhet në të njëjtën ditë. Supozoj që për këtë janë shqetësuar, sepse janë mësuar që prokurorët t’u ulen në kokë. Janë shqetësuar dhe është normale që të dërgojnë mesazhe të tilla. Ndryshe, unë nuk kërcënoj askënd, sepse kjo nuk është pjesë e karakterit tim dhe gjithçka që bëj, e bëj pa kërcënime,” theksoi Mickoski.