MF: “Edhe këtë vit qytetarëve do t’u ofrohet përkrahje për kredi banesore përmes Projektit ‘Blej shtëpi, blej banesë'”


Ministria e Financave do të publikojë thirrje të re për projektin “Blej shtëpi, blej banesë”, me ç’rast qytetarët e interesuar do të kenë mundësinë që të aplikojnë për kredi të subvencionuar për të siguruar shtëpinë e tyre. Informacioni për zbatimin dhe vazhdimin e projektit gjatë vitit 2022 me propozim që të publikohet thirrje e re, u miratua në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Qytetarët do të mund të aplikojnë për një nga dy variantet për subevencionimin e këstit ose subvencionimin e pjesëmarrjes për blerjen e banesës apo për ndërtimin e shtëpisë, në bankat afariste që janë pjesë e Projektit “Blej shtëpi, blej banesë”, pasi që të publikohet thirrja publike. Deri më tani janë aprovuar 2010 kërkesa për kredi banesore të subvencionuar, ndërsa kreditë e aprovuara janë me vlerë të përgjithshme prej mbi 73 milionë euro, me ç’rast subvencionimet e kredive në fjalë janë me vlerë prej 18.3 milionë eurove.

Nga dy modelet e ofruara, qytetarët më së shumti kanë shfrytëzuar modelin për subvencionim të këstit, për të cilin janë aprovuar 1486 kërkesa, ndërsa për subvencionim të pjesëmarrjes janë aprovuar 524 kërkesa. Sipas qëllimit, qytetarët kanë shfrytëzuar më së shumti për blerjen e banesës, përkatësisht nga gjithsej kërkesat e aprovuara, 1676 janë për blerjen e banesës së re, ndërsa 334 janë për ndërtim, blerje, zgjerim ose mbindërtim të shtëpisë.

Projekti “Blej shtëpi, blej banesë” realizohet në përputhje me Ligjin për subvencionim të kredisë për banim, me disa ndryshime sa i përket kritereve, me qëllim që t’u ndihmohet familjeve, veçanërisht të rinjve për ta zgjidhur çështjen e tyre të banimit.

Norma e interesit në tre vitet e para të realizimit të këtij projekti ishte 4.99%, ndërsa pas përfundimit të periudhës trevjeçare, në dy vitet e ardhshme norma e interesit mund të rritet deri në maksimum 10%. Pastaj, u përmirësuan kushtet sa i përket sigurimit të shtëpisë, ndërsa përfitimi më i madh për qytetarët ishte ulja e ndjeshme e normave të interesit për aprovimin e kredisë së subvencionuar për banim. Për subvencionim të këstit të kredisë në tre vitet e para, norma e interesit u ul nga 4.99% në 2.9% në nivel vjetor, ndërsa në 2 vitet e ardhshme, norma e interesit u ul nga 5.5% në 3.9%.

Sa i përket modelit për subvencionim të pjesëmarrjes së kredisë së subvencionuar, norma e interesit është ulur dhe ka arritur më së shumti në EURIBOR gjashtëmujor + 4.0 p.p. në nivel vjetor për tërë kohëzgjatjes e pagesës së kredisë. Me realizimin e projektit, poashtu u arrit përmirësim i dukshëm i kreditimit të banesave edhe nga bankat komerciale që sot ofrojnë kredi për banesa me interes shumë të ulët dhe kushte shumë të volitshme.

Gjithashtu, periudha e normës fikse të interesit, e cila dhjetë vjet më parë ishte me perudhë prej një deri në dy vjet, tani është deri në dhjetë vjet. Duke pasur parasysh atë që u theksua më sipër, qëllimi i projektit është arritur dhe shumë qytetarë e kanë zgjidhur çështjen e banimit. Sipas informacioneve të miratuara të Qeverisë, thirrja publike që do të shpallet për vitin 2022, do të jetë thirrja e fundit e shpallur në kuadër të Projektit “Blej shtëpi, blej banesë”.